Revolucioni Klop: Ide dhe miliona, në 3 vjet vetëm dy futbollistë kanë mbijetuar!

0

Para 3 vitesh Jyrgen Klop, i cili në vitin 2015 pasoi Brendan Roxhers në stolin e Liverpulit, luajti me këtë formacion në finalen e Europa League kundër Seviljes, në Bazel: Minjole; Klajn, Turé, Lovren, Alberto Moreno; Milner, Xhan, Lalana; Starixh, Firmino, Kutinjo.

Në atë kohë Liverpuli ishte shumë optimist, aq sa Klop kishte lejuar të përgatitej edhe një festë private, por Unai Emeri dhe Sevilja i dhanë një leksion, duke fituar 3-1. Klop nuk e anuloi darkën me lojtarët, të cilët i përgëzoi për gjithçka, por atë natë e kuptoi se duheshin ndryshuar shumë gjëra.

Nga ai Liverpul kanë mbijetuar vetëm dy futbollistë: njëri është Firmino, lojtar klasi, tjetri është Milner, një veteran që edhe nëse nuk luan rregullisht, ka status të veçantë në klub.

Për të mbërritur në një finale në Champions dhe në gjysmëfinalen e tjetrës, Klop bëri një revolucion të vërtetë te Liverpuli, por jo falas.

Në tre sezonet e fundit Klop ka shpenzuar 434,8 milionë euro për blerje, duke përfituar edhe nga shitja e Kutinjos te Barcelona, për 160 milionë euro. Në total, Liverpuli ka shitur lojtarë për 330,9 milionë euro.

Që kur klubin e bleu Fenway Sports Group, pronari Xhon Henri futi një politikë konkrete blerjesh, duke investuar, por jo me blerje në masë. Pak blerje, studim i detajuar dhe vendim përfundimtar i marrë me bindje të plotë. Klop i është përshtatur në mënyrë perfekte kësaj politike dhe ka ndërtuar një shtyllë kurrizore të mrekullueshme te The Red.

Alison në portë u ble për rreth 62 milionë euro, Virxhil van Dijk në qendër të mbrojtjes kushtoi 84 milionë euro, shifër që tani duket modeste.

Më pas, Mane kushtoi 41 milionë euro dhe Salah 42, për të kompletuar sulmin, ku Firmino është një lojtar shumë inteligjent, që shënon, krijon hapësira dhe vrapon e pason pa fund. Reforma u kompletua nga Uijnaldum (27.5 milionë euro) në sezonin 2016/17 dhe nga Fabinjo (40) e Nabi Keita këtë sezon.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.