Atletiko Madrid ka pësuar një revolucion të vërtetë. Merkato intensive e klubit “colchoneros”, me shumë largime e po aq afrime. Antuan Grizman, Diego Godin, Huanfran dhe Rodri janë disa nga largimet më të rëndësishme, por jo të vetmit.
Filipe Luis nuk ka rinovuar dhe është me valixhe gati, ndërsa Diego Simeone ka vendosur të nxjerrë në merkato edhe tre lojtarë të tjerë. Marca publikon emrat dhe ata janë Diego Kosta, Nikola Kaliniç dhe Angel Korrea.
Spanjolli me origjinë braziliane kërkohet nga Uest Hemi dhe Evertoni në Premier Ligë, ndërsa garës për sulmuesin potent i është bashkuar edhe Flamengo. Drejtues të klubit brazilian kanë zbarkuar në Europë dhe kanë nisur negociatat me Atletikon.
Në merkato kanë përfunduar edhe Kaliniç dhe Korrea. Klubi është në pritje të ofertave më të mira, ndërkohë që Simeone pret arritjen e marrëveshjes përfundimtare për Hames Rodrigez, i cili pritet të formojë repartin ofensiv bashkë me Moratën dhe Zhoao Feliks.