Revolucion te Flamurtari, Bicaj “vlonjat”?

Elton Nika

Flamurtari ka marrë pushimet, ndërkohë që drejtuesit po mendojnë edhe për sezonin e ardhshëm futbollistik. Trajneri Shpëtim Duro do të jetë ai që do ndërtojë ekipin, teksa deri më tani ai është shprehur publikisht se do dëshironte të afronte në skuadrën e tij vlonjatin Dejvi Bregu, por kjo pistë duket e vështirë për t’u arritur, pasi ai është nën kontratë me Luftëtarin dhe klubi gjirokastrit ka pretendimet e tij për kartonin e futbollistit. Një emër që del në skenë është qendërmbrojtësi Ditmar Bicaj, lezhjani që e mbylli sezonin me Vllazninë dhe me gjasa do ta mbyllë aventurën e tij në Shkodër. Ditën e djeshme ai është parë nën shoqërinë e trajnerit Duro në një nga lokalet e kryeqytetit, duke bashkëbiseduar miqësisht së bashku. Mund edhe të ketë qenë një kafe miqësore, por Bicaj te Flamurtari është përmendur edhe më parë dhe normalisht të shtyn të dyshosh në një bashkëpunim të mundshëm në vijim. Bicaj pas problemeve me dokumentacionin në Iran verë e shkuar, zgjodhi Vllazninë të vijonte karrierën, ndërkohë tanimë Flamurtari është një pistë për të ardhmen e tij, por gjithçka mbetet për t’u parë.

PLANI

Tomislav Bushiç, Ivan Jakovljeviç, Danilo Alvesh, Franc Veliu, Argent Halili, Alesio Hyseni, Ardit Shehaj e Taulant Kuqi, këta janë lojtarët Flamurtarit që pritet të mbeten pjesë e vlonjatëve edhe në sezonin e ardhshëm, ndërsa për pjesën tjetër të futbollistëve shanset janë më të vogla. Momentalisht nuk flitet për mbyllje kontrate,apo bisedime për të zgjatur kontratat e bashkëpunimit me lojtarët të cilët nuk janë në këtë listë. Drejtuesit e skuadrës vlonjate do të kërkojnë të tjera emra që mund t’i bashkohen Flamurtarit për sezonin e ri. Përjashtim nga lojtarët e huaj, kosovarë apo shqiptarë, të cilët e mbyllën sezonin me kuqezinjtë, mund të bëjë vetëm mesfushori Donjet Shkodra, por ky i fundit kërkon garanci për një skuadër dinjitoze për sezonin e ardhshëm. Sa i takon aspektit financiar, pavarësisht vonesave të pagave, konfirmohet se nuk ka probleme. Alvesh është nga të paktët lojtarë që është ende nën kontratë, ashtu si edhe Jakovljeviç, me serbo-kosovarin që i rinovohet edhe për një tjetër sezon, ndërsa Bushiçin në Vlorë e duan me çdo kusht, por gjithçka varet nga vetë lojtari, pasi i përfundon kontrata. Ndërsa për lojtarët vlonjatë duket se diskutimet janë disi më ndryshe, duke përjashtuar Bruno Telushin, lojtar të cilit i mbaron kontrata dhe e ardhmja mund të jetë edhe larg Flamurtarit. Ekipit të parë do t’i bashkohet edhe portieri i ri Pano Qirko, i cili ka qenë pjesë e të rinjve, por është grumbulluar edhe në ndeshje të tjera, pasi korçari Frashëri pas humbjes me Skënderbeun në Vlorë nuk u grumbullua më. Sa i përket largimeve, lista e lojtarëve mbetet mjaft e gjatë, duke i dhënë mundësinë edhe skuadrave të tjera të bëjnë pazar në Vlorë.

 

Lista e lojtarëve që pritet të largohen

Stivi Frashëri
Ilir Berisha
Mauricio Leal
Ergis Mersini
Ilir Berisha
Milos Rniç
Nikola Djuriç
Ivan Galiç
Balsa Radoviç
Haxhi Neziraj
Lynneker
Astrit Fazlliu

Lista e lojtarëve që pritet të qëndrojnë

Tomislav Bushiç
Ivan Jakovljeviç
Danilo Alvesh
Franc Veliu
Argent Halili
Alesio Hyseni
Ardit Shehaj
Taulant Kuqi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *