Reja: Shqipëria si Napoli, ju tregoj bisedën me kryeministrin Rama!

Edi Reja do të debutojë në stolin e kombëtares kuqezi me datë 8 qershor në Reikjavikun e largët kundër Islandës vendase, ndërsa tre ditë na viziton Moldavia. Të gjithë po presin me padurim ndeshjen e parë të trajnerit italian në stolin e shqiponjave kuqezi.

Përballja është e vështirë, por një fitore do rriste entuziazmin dhe do ringjallte shpresat për një kualifikim në Euro 2020. 74-vjeçari ka dhënë një prononcim interesant për mediat italiane, duke zbuluar disa detaje dhe prapaskena në lidhje me detyrën e re.

Reja tregon se kush e bindi dhe çfarë objektivash i janë vënë. Impakti i parë është tepër pozitiv dhe ai është mahnitur nga pasioni i madh i shqiptarëve për futbollin dhe kombëtaren. Trajneri falënderon edhe Igli Taren, me të cilin ka punuar te Lacio dhe ka një premtim për tifozët shqiptarë.

SHQIPËRIA – “Kisha premtuar se nuk do të stërvisja më asnjë klub, por një ofertë kombëtareje do e merrja në konsideratë. Kështu ndodhi. Nuk është ai stresi i përditshëm, por përgjegjësitë janë të mëdha. Në Shqipëri ekziston një pasion i jashtëzakonshëm për futbollin. Më kujton pak Napolin, njerëzit e adhurojnë kombëtaren dhe lojtarët e saj. Kjo gjë më mbush me energji dhe ishte ajo çfarë kisha nevojë.

Mendoj se po bëjmë një punë të mirë dhe impakti me lojtarët ka qenë pozitiv. Të hënën nisëm grumbullimin, por kam nisur punën me një grup më të vogël që nga 15 maji. Lojtarët më të rëndësishëm janë të shpërndarë nëpër Europë dhe vijnë me mentalitet dhe filozofi të ndryshme. Vështirësia më e madhe e një trajneri kombëtareje, përveçse të njohë karakteristikat e lojtarëve, është që të krijojë një identitet unik.”

PRAPASKENA – “Më telefonoi presidenti Duka. ‘Mister, çfarë qëllimesh keni? Nëse je i disponueshëm, le të diskutojmë’, më tha dhe filluam të flisnim. Ndoqa ndeshjen me Turqinë në stadium, Isha rastësisht atje, pasi po monitoroja disa futbollistë, të cilët ndiqeshin nga Napoli dhe Atalanta. Më telefonoi edhe kryeministri Edi Rama. E kisha njohur më parë në hotelin tim afër Ponte Milvio. Vinte për të ndjekur Lacion dhe është një tifoz i zjarrtë i Juventusit. Më telefonoi për të më bindur.”

PREMTIMI PËR TIFOZËT – “Angazhim të plotë dhe shpirt sakrifice. Besoj shumë te grupi. Ka kualitet dhe nëse japim 100 për qind, do të përjetojmë momente të bukura. Lojtarë më kanë dhënë përshtypjen që janë shumë të karikuar. ka besim, shikoj dëshirë të madhe dhe qetësi. Europiani është ëndrra. Për t’u bërë realitet, duhet besuar. ka vetëm diçka që na pengon, frika që nuk ia dalim dot. Nuk duhet të kemi dyshime.”

TARE – “Ju ka ndihmuar Tare? Po, sigurisht që më ndihmoi. Më ka dhënë një dorë të madhe, kemi folur me lojtarët. Kam bërë një xhiro nëpër Europë për t’i parë, por Igli i njeh edhe më shumë. Jam njohur me vlerësimet e tij. Duhet ta falënderoj atë, pasi ka folur fjalë të mira për mua në FSHF dhe te kryeministri Rama.”

KONTRATA – “Mund ta them me krenari që, pas 35-36 viteve punë si trajner, ndihem akoma i fortë fizikisht. Kam nënshkruar deri në nëntor dhe janë për t’u zhvilluar 6 ndeshje zyrtare. Më propozuan një kontratë edhe për dy vite të tjera. Ju thashë që të presin. Nëse rezultatet do të vijnë, atëherë do të vazhdojmë bashkëpunimin. Nëse gjërat na ecin mbarë, do të ecim përpara edhe për dy vite të tjera.”

OBJEKTIVI – “Më kanë kërkuar që të bëj mirë dhe të tentoj kualifikimin në Euro 2020. Duke lënë mënjanë Francën, mendoj se mund të rivalizojmë me gjithë skuadrat e tjera, përfshirë edhe Turqinë. Do japim gjithçka. Respekt për të gjithë, frikë për asnjë. Kam biseduar me lojtarët dhe ju kam transmetuar bindje. Shoh që ka harmoni. Shqiptarët zbresin në fushë me krenari. E ndjejnë shumë faktin që përfaqësojnë vendin dhe popullin e tyre. Shpeshherë janë më të karikuar se duhet, edhe në stërvitje.”

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *