Partizani është kampion dimri. Të kuqtë nuk e fitojnë titullin prej vitit 1993 dhe shumë tifozë në mbarë Shqipërinë presin që në fund të këtij sezoni skuadra e drejtuar nga Skënder Gega të ngrejë trofeun më të rëndësishëm të futbollit në vend.
Për të ardhur në këtë ku Partizani është sot, janë disa protagonistët. Trajneri Gega është i pari në listë dhe për të është diçka e bukur të jetë në krye të ekipit të kuq. “Është ëndërr dhe ambicie të jem këtu. Është një vend ku unë e kam nisur karrierën, këtu jam formuar si lojtar, si profesionist dhe si karakter sportiv. Është dëshirë dhe ndjenjë e pakufi, kështu që po e përjetoj në mënyrën më të mirë”.
I pyetur si është ta shohësh Partizanin nga jashtë dhe si ta drejtosh, Gega për “RTSH Sport” shton: “Është si dita me natën. Duke e parë nga larg je i qetë. Duke drejtuar është diferencë e madhe, përgjegjësi shumë e madhe dhe një sfidë shumë e madhe”.
Gega e ka treguar javë pas jave që shpesh nuk dëshiron të flasë për gjëra konkrete, sidomos kur flitet për informacione që vlejnë për kundërshtarët. Ai pranon se ka dobësi Partizani i tij dhe e di shumë mirë se duhet punë për të arritur te perfektja. Gjithsesi i kënaqet grupit, pikës më të fortë që veçon te “demat”.
“Kundërshtari më i fortë? Një kampionat i suksesshëm është t’i menaxhosh të gjitha ndeshjet mirë. Kështu që i jap vlerë çdo ekipi të Superiores, pasi secila skuadër ka specifikat e veta”.
“Humbjet ndaj Skënderbeu? Nuk e shoh asnjëherë sfidë direkte karshi një ekipi, e shoh pak më gjerë: si një kampionat me katër faza, që është shumë i vështirë dhe që të duhet të menaxhosh çdo ndeshje. Ndeshjet me Skënderbeun, kanë shkuar si kanë shkuar. Të parën e humbëm në fund, por ky është futbolli”.
DERBI – “Historikisht, me aq sa mbaj mend edhe si lojtar, derbi të jep adrenalinë, të jep orë të lumtura, orë edhe të trishtuara. Në një derbi duhet formuar kulturë tjetër, nuk është derbi që vendos fatin. Nuk duhet të ndihem i fyer nëse humb një derbi, duhet të gjejmë forcën të japim mesazhin që ky është futboll, jo armiqësi. Duhet të shikojmë që është ‘fair-play’. Ajo më kënaq”.
NDRYSHIMET NË JANAR – “Nuk do dëshiroja asnjëherë të largoja dikë që nuk e meriton dhe nuk do e bëj. Do duhet të jemi shumë të kujdesshëm, si unë, por edhe klubi kur të ndërhyjë. Kur të afrojmë dikë të jemi racionalë dhe mos të kthehemi mbrapsht në gabime. Për fatin tonë të mirë, një numër ndoshta me gishta janë në dyshim për të ardhmen. Këta që i kemi duhet t’i mbajmë dhe të përforcohemi edhe më tej, në mënyrë që në dy fazat e tjera të jemi edhe më të fuqishëm e solidë”.
“Nevojat në skuadër për të marrë titullin? Është sfidë e gjatë dhe rrugë e gjatë. Duke qenë të bashkuar e duke qenë profesionistë brenda dhe jashtë fushe, duke u përforcuar. Për fat të mirë kemi mbështetjen e presidentit, kemi mbështetjen e klubit. Kemi diçka që ndoshta është bonus dhe asnjë nuk e ka, kemi tifozët që janë të mrekullueshëm dhe presin nga ne. Megjithatë është një garë ku duhet mbajtur gjatë gjithë kohës i njëjti ritëm. Por shpresoj që gjërat të shkojnë mirë vitin tjetër”.