Real Madridit nuk po i shkojnë punët mirë, sidomos pas barazimit të fundit pa gola ndaj Atletik Bilbaos, me Kristiano Ronaldon ende në “thatësirë” në La Liga, por presidenti Florentino Perez është optimist. Në një intervistë të fundit, numri 1 i klubit madrilen ka shprehur besimin e tij maksimal te trajneri Zinedin Zidan dhe te skuadra, pavarësisht se lajmet në medie flasin për tjetër gjë. Sipas tij, “Los Blancos” sivjet mund të rikthehen në formë spektakolare, ashtu si vjet, ndërsa Ronaldo do të fitojë “Topin e Artë”.
Skuadra dhe trajneri
“Ne jemi Real Madridi dhe nuk diskutohet që kemi një skuadër fantastike për të vazhduar ëndrrën. Trajneri? I shkëlqyer, ndër më të mirët. Më saktë, ideali për ne. Me të do të fitojmë sërish trofe”, kanë qenë fjalët e presidentit Perez, i cili nuk ndihet “i tradhtuar” nga Sergio Ramos me shokë. “Të gjithë e dinë se jemi një nga skuadrat më të mëdha të historisë së futbollit, të tjerët na shohin si pikë referimi. Nëse nuk do të kishim qenë të bashkuar, nuk do t’i kishim kaluar kurrë ditët e vështira. Kjo ka bërë që të tjerët të marrin shembull dhe të na admirojnë”.
Sezoni
I pyetur për sezonin aktual, Perez theksoi se me Ronaldon Reali mund t’i arrijë objektiat. “Vitin 2017 do ta mbajmë mend jo vetëm për kampionatin dhe Champions-in, por edhe për Superkupën e Spanjës dhe atë të Europës. Dihet se Zidan është lideri i vërtetë i këtij ekipi, por Ronaldo është simboli i Real Madridit. Ai edhe këtë vit do ta fitojë “Topin e Artë”, i pesti për të, sepse e ka merituar me të gjitha ato që ka bërë për ne gjatë këtij viti”.