Reali kënaqet me pak, Madridi ende me 3 ekipe në Champions

Getafe vazhdon të habitë dhe mbetet e katërta në renditje, pas barazimit 0-0 regjistruar sot ndaj Real Madridit, në një derbi që nuk ka qenë kurrë kaq i ekuilibruar dhe me dy ekipet kaq pranë në renditje. Reali, Atletiko e Getafe, për momentin Reali ka 3 ekipe në Champions!

Reali i Madridit në pjesën e parë bëri shumë pak dhe Getafe nuk është se tentoi të përfitonte. 45 minuta thuajse në gjumë, me madrilenët që duket se janë me mendjen te pushimet dhe trajnerin Zinedin Zidan që provoi në formacion të rinjtë Reguilon, Valverde e Brahim Diaz, me këtë të fundit që bëri figurë shumë të mirë.

Megjithatë, Getafe ishte e pakalueshme dhe në pjesën e dytë tabloja nuk ndryshoi, me Realin që bëri disa ndryshime për të përforcuar fazën sulmuese, por nuk ndryshoi marsh.

Benzema nuk ishte në mbrëmjen e tij më të mirë dhe në krahun tjetër Kejlor Navas u tregua perfekt me disa ndërhyrje vendimtare.

SEVILJA RIKTHEHET – Një fitore 5-0 ndaj Vajekanos së dobët i ka rikthyer qetësinë Seviljes, që funsjavën e shkuar u mund keqas në Getafe. Gjithçka në pjesën e dytë, sepse deri në minutën e 55-të rezultati ishte 0-0, por sapo Promes shënoi për Seviljen, gjithçka mori fund. Munir shënoi 2 gola dhe Bej Jeder e Zhil mbyllën hesapet, me Vajekanon që tashmë është praktikisht në Segunda. Me këtë fitore Sevilja barazon Getafen në renditje, por takimet direkte anojnë nga madrilenët.

VILAREALI NË FESTË – Pak ditë më parë bënin xhiron e botës lotët e Kazorlas për një peanllti të humbur, por tashmë Vilareali ka rregulluar gjithçka. Sot “nëndetësja” fitoi 1-0 në San Sebastian ndaj Sociedadit, me një gol të shënuar 5 minuta para fundit nga Gerard Moreno, ndaj tashmë mbijetesa është thuajse e sigurt, me 5 pikë avantazh nga zona e ftohtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *