Çështja e Garet Bejl po mban peng Realin e Madridit. Trajneri Zidan dëshiron shitjen e tij, ndërsa sulmuesi uellsian insiston të qëndrojë. Megjithatë, 30-vjeçari është pranë transferimit në kampionatin kinez.
Rreth kësaj situate ka folur edhe Roman Kalderon për “Sky Sport”. Ish-presidenti i “Los Blancos” gjatë viteve 2006-2009 analizon momentin e Bejl dhe mendimet ndryshe të Zidan dhe presidentit Perez.
“Askush nuk e di se çdo të bëhet me të, por është e sigurt që trajneri dhe presidenti mendojnë ndryshe. Uellsiani ishte goditja më e mirë e Florentinos dhe ai nuk dëshiron ta pranojë se ka gabuar, duke menduar se Bejl do të bëhej lideri i Realit pas largimit të Ronaldos.
Zidan dëshironte qëndrimin e Ronaldos dhe shitjen e Bejl. Ky i fundit nuk ka patur fat me dëmtimet. Nuk mësoi as gjuhën spanjolle gjatë kësaj periudhe dhe diçka e tillë i hoqi mundësinë për t’u lidhur edhe më shumë me tifozët.”