Kristiano Ronaldo është një nga lojtarët më të mëdhenj të historisë së futbollit. Sigurisht që portugezi ka një vend të rëndësishëm në historinë e klubit të Real Madrid, por ndoshta jo në kufijtë e një legjende, edhe pse rekordet e thyera nga 33-vjeçari kanë qenë të panumërta.
Numri 7 gjithnjë ka qenë një identifikues i portugezit, por ky numër nuk do të qëndrojë për shumë kohë pa pronar në Madrid, edhe pse shumëkush do të kishte menduar se do të ishte një tregues respekti nëse për disa kohë fanella e CR7-ës të qëndronte pa “zot”, derisa një “yll”tjetër që t’i afrohej ta kërkonte.
Siç raportohet nga mediat në Spanjë, sulmuesi Mariano Diaz i ardhur këtë verë do të mbajë numrin që ka pasur sulmuesi portugez. Për tifozët, 25-vjeçari i ardhur nga Lioni nuk është ndonjë goditje dhe aq e madhe, por për disa nga drejtuesit duket se po dhe besimi tek ai është aq i madh sa i besohet fanella e një prej lojtarëve që u ka dhënë aq shumë suksese sa duket e vështirë për t’i numëruar.