Ky sezon është i dështuar për Realin e Madridit. Eliminimi nga Champions-i dhe vendi i tretë në kampionat flasin vetë. Spanjollët duan të ndryshojnë diçka dhe të jenë sërish mbretërit e Europës. Se si, kjo mbetet për t’u parë. Momentalisht zgjidhja mbetet merkatoja.
Tre janë emra më intrigues, të cilët mund të zbarkojnë në Madrid: Nejmar, Mbape ose Hazard. Asnjëri nuk transferohet pa 200 milionë euro. Kështu që te Reali duhet të bëjnë gati milionat dhe duket se nuk kanë humbur kohë.
Fabio Kapelo, ish-trajneri i madrilenëve, së fundmi ka qenë në Barcelonë dhe gjatë një takimi ka mësuar diçka në lidhje me fondin që klubi spanjoll do të ketë për merkaton. Tekniku italian, që tashmë është pjesë e Sky Sports si specialist futbolli, ka deklaruar edhe shifrën e “çmendur”.
“Isha në Barcelonë dhe më thanë që këtë vit Reali ka në dispozicion 500 milionë euro për t’i shpenzuar. Unë pyeta: ‘jeni i sigurt?’. Përgjigja ishte ‘po’ dhe erdhi nga një person që di shumë gjëra mbi Realin e Madridit”, është shprehur Kapelo për Sky Sports.