Pol Pogba ka pohuar se dëshiron një sfidë të ndryshme nga ajo në Mançester dhe kërkon të largohet këtë verë. Natyrisht, duke parë lajmet e fundit na vjen në mendje një bashkim me Zinedin Zidan në Madrid. Trajnerii i Real ka kohë që e ka shprehur pëlqimin ndaj kampionit të Botës dhe i ka drejtuar krerët e klubit për të blerë shërbimet e tij.
Megjithatë, mediet e mëdha evropiane zbulojnë se dëshira e Pogba nuk është të vishet i bardhë, por bardhezi. 26-vjeçari dëshiron rikthimin në Torino, atje ku shpërtheu si profesionist për t’u transferuar më pas në Mançester për shifrën e 105 milionë eurove.
Projekti i ri Juventusit duket se e ka tunduar francezin. Prania e yjeve si Kristiano Ronaldo dhe ardhja e një trajneri, që ka një stil loje sulmues e bën Juventusin të jetë destinacioni i preferuar i Pogba. Paratiçi ka muaj që po e ndjek situatën e tij dhe ka bërë gati 130 milionë euro për të rikthyer mesfushorin në “Allianz Stadium”.