Kukësi u ankua pas ndeshjes me Teutën për gjykimin e arbitrit Juxhin Xhaja, teksa doli me një deklaratë. Sipas tyre ai vendosi ndeshjen dhe vihet në dukje një rast për penallti ku pretendohet se Progni ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Uilliam Kordieros.
I ftuar në emisionin Rubrika Sportive në RTSH, qendërmbrojtësi Ditmar Bicaj u shpreh se nëse do jepeshin penallti të tilla, çdo ndeshje do kishte nga pesë të akorduara. Lezhjani kalon në kundërsulm.
Ai mendon se braziliani i Kukësit ka simuluar dhe duhej ndëshkuar madje me karton të verdhë. “Duhet të mërzitemi ne të Teutës që nuk është dhënë karton i verdhë. Është budallallëk ta kërkosh atë penallti”, tha Bicaj mes të tjerave gjatë emisionit.
“Kukësi ka shumë alternativa në sulm, ata dalin para me pesë veta. Kanë sulm shumë të kompletuar. Partizani është ekipi i shkurtër, është e vështirë t’u shënosh. Shfrytëzojnë rastet e krijuara dhe momentalisht janë ekip më i mirë”.