Mançester Junajtid do të sfidojë mbrëmjen e sotme në një duel “zjarri” Juventusin në “Allianz Stadium”. Sfida do të jetë e veçantë, sidomos për Kristiano Ronaldon, i cili do të sfidojë ish-ekipin e tij, ku u bë i njohur si një ndër lojtarët më të mirë në Botë dhe fitoi trofe të shumtë. Në atë kohë portugezi ishte një idhull në “Old Traford”.
Markus Rashford, është pikërisht një nga ata që e ka ndjekur Ronaldon që në moshë të vogël dhe në fjaët e tij përpara sfidës së sotme, ka folur për luzitanin. Sulmuesi i Mançesterit ka zbuluar se inspirimi i tij më i madh në futboll vjen nga Kristiano Ronaldo dhe se niveli që shfaq portugezi është i pabesueshëm.
“Më kujtohet kur erdhi për herë të parë në Mançester. Ishte ndoshta një nga talentet më të mëdha që ne kemi parë tek Junajtid për një kohë të gjatë. Të shihje atë dhe Uejn Runin në të njëjtën skuadër ishte e mahnitshme. Mënyra se si ai është përmirësuar nga viti në vit është diçka e mrekullueshme”.
“Njerëzit në moshën e tij nuk bëjnë gjëra të tilla, pasi shohin se ku mund të mbyllin karrierën, kjo dhe për faktin se niveli i tyre i lojës bie. Niveli i Ronaldos sa vjen e shkon lart e më lart. Për mua nuk ka inspirim më të madh se sa Kristiano Ronaldo”.
“Gjithsesi, kur luan kundër një lojtari të tillë, duhet të respektosh kualitetin e tij, por në të njëjtën kohë duhet të luash lojën tënde dhe të mos tregosh asnjë frikë për asnjë lojtar”.
“Ndeshjen e luajtur në shtëpi, ishte një ndeshje ku mund të kishim humbur 2-0, barazuar 1-1 apo dhe mund të kishim fituar 2-1. Mendoj se u futëm disi vonë në lojë, por kemi mësuar nga ajo ndeshje. Duhet të kuptojmë që jo gjithmonë çdo gjë shkon sipas planit dhe të jemi gati për çdo situatë”.