Ramadani te Vejle: Projekt, parà dhe… Sormani

Largimi i kosovarit te Vejle u cilësua i çuditshëm: Besoj në projektin e klubit. Ofertën e tij s’mund të refuzoja. Mos ma qani hallin…
Shqiptari është shumë paragjykues si natyrë, fjala i del pa e menduar dhe situatat janë sipërfaqësore. Nuk kishte si t’i shpëtonte paragjykimit edhe mesfushori kosovar. Nënshkrimi i tij me Vejlen dukej thuajse si një hap prapa në karrierë. Reagimi ishte i tillë nga njerëzit e thjeshtë, madje edhe nga mediet. Pak e dinë se zgjedhja e Ramadanit nuk është rastësore, pasi qyteti jugor i Danimarkës, i vendosur në fjordet e saj, ka një të kaluar historike edhe në futboll. 5 kampionate të fituara dhe 6 kupa të vendit, pjesëmarrje në Kupën UEFA dhe Intertoto (versione të vjetra të kompeticioneve evropiane). Projekti i klubit të kategorisë së dytë daneze të bën t’i kthesh sytë tek ai. Drejtuesit duan ta ngjitin në elitë dhe për këtë janë duke shpenzuar jo pak. Trajneri Adolfo Sormani dhe beniamini i tij, Ylber Ramadani, janë vetëm dy nga emrat e merkatos së Vejles. Mesfushori, pas prezantimit si lojtari më i ri i Vejles, ka dhënë një intervistë të gjatë, ku flet për ofertën e marrë nga klubi danez dhe pse vendosi të shkojë atje.
– Përshëndetje Ylber, si po ndiheni tani që keni nënshkruar me një klub të ri?
– Jam shumë entuziast dhe i lumtur. Jeta dhe karriera ime tashmë ndryshon 360 gradë. Do të jem larg vendit tim, me një gjuhë që nuk e njoh, por kjo më motivon më shumë.
– I keni parë komentet e para pas prezantimit tuaj te Vejle?
– Po dhe jam habitur me dashamirësinë e tifozëve. Te Vejle do të gjej Agron Mucollin, një lojtar me origjinë shqiptare dhe besoj se do të më ndihmojë.
– A dinit diçka për Vejlen para se të nënshkruanit për të?
– Të them të drejtën, nuk e njihja fare si ekip. Nuk dua të tregohem hipokrit.
– Çfarë ju bindi të firmosnit?
– Më bindi projekti i klubit, pasi ka qëllim të ngjitet në superligën daneze dhe ka bërë merkato. Një tjetër gjë, që më pëlqeu, është se Vejle është një klub, që mbështet futbollistët e rinj.
– Sa gisht kishte në transferimin tuaj ish-trajneri i Partizanit, Sormani?
– Kam folur me trajnerin Sormani para se të firmosja, pasi ishte ai që më sugjeroi dhe më kërkoi me ngulm.
– Kur do të nisë aventura juaj daneze?
– Do të nisem drejt Danimarkës ditën e hënë dhe do të bashkohem me ekipin e ri.
– Ndryshim i madh të ardhurash nga Partizani te Vejle?
– (Qesh) Nuk mund ta refuzoja një kontratë të tillë. Nuk dua të hyj në shifra, pasi nuk ia kam treguar askujt, por realisht jam shumë i kënaqur. Prandaj, mos ma qani hallin…
– Si e priti Partizani vendimin tuaj?
– Më janë gjendur në krah dhe më kanë kuptuar. Nuk dyshoja për këtë. I uroj suksese dhe shpresoj të shkojnë sa më larg në Europa League dhe sigurisht të fitojë titullin kampion të sezonit tjetër.
– Çfarë planesh keni për të ardhmen?
– Shpresoj të rris nivelin tim profesional. Nga Shpresat, duhet të punoj fort të meritoj edhe Kombëtaren. Më pas edhe kalimi në ndonjë kampionat më elitar në Europë është i mirëpritur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online