Drejtori i Partizanit, Olsi Rama, foli për gazetarët e pranishëm në “Selman Stermasi” pas ndeshjes me Karabakun, ku u shpreh:
“Siç e kam thënë dhe më përpara, në letër janë një ekip më i fortë se ne. Vlerën që e kanë, janë tre herë më të shtrenjtë se ne. në fushë, luhet me zemër, me karakter. Jam shumë i kënaqur që futbollistët e Partizanit na bënë dhe njëherë tjetër krenarë. Ata kanë një avantazh karshi nesh, pasi kanë vite që luajnë me njëri-tjetrin. Përveç se mbajtën topin më shumë se ne, goditje dhe rastet ishin tonat. Unë mundohem t’i shikoj gjërat me qetësi, më tepër se goli, më pëlqeu mënyra si ekipi u paraqit në fushë dhe zbatuan detyrat e trajnerit. Goli pastaj do të ishte qershia mbi tortë, por ndeshja është e hapur dhe ka edhe 90 minuta të tjera.
Unë mendoj që përpara se të bënim këtë ndeshje, trajneri ngulte këmbë dhe thoshte ka vetëm një ndeshje, vetëm një ndeshje. Nga ky takim i sotëm, morëm disa përgjigje të mirë. Tani vërtetë kemi vetëm një ndeshje. Do të kemi një javë më shumë stërvitje, Braun dhe Broja do të njihen me ekipin. Salomon ende nuk është në 100%, një javë na ndihmon shumë. Do të jemi më të gatshëm për të surprizuar atje.
Ne duhet të shkojmë atje për të bërë ndeshjen tonë, për të përfaqësuar ashtu siç duhet ngjyrat e Partizanit. Ndonjëherë, duhet edhe fati. Trashi? Është një lojtar që unë e dua shumë, gjithmonë ka sjellë cilësi te Partizani. Nuk ka çështje “Trashi”, këtu luan ai që i përshtatet më shumë trajnerit. Lerda preferoi Hakajn, që është më i mirë në fazën mbrojtëse. Po ta shikonit, Trashi përqafoi trajnerin në fund të ndeshjes, kështu që nuk ka asnjë çështje. Nëse Trashi do të shkojë diku tjetër për të vazhduar karrierën e tij, do të largohet me kushtet e duhura, pasi Partizani duhet të përfitojë nga transferimi i tij. Ne shpresojmë që Trashi të jetë transferta e parë e suksesshme e drejtimit tim te Partizani”, tha Rama.