Rakitiç-PSG: Ja pse kroati qëndroi, zbulohen detajet e tratativave

Ivan Rakitiç ishte një ndër objektivat e PSG, por kroati vendosi në fund të qëndrojë te Barcelona. Francezët afruan 90 milionë euro për kartonin e 30-vjeçarit, të cilin e priste një rrogë prej 8 milionë eurosh në sezon, por trajneri Valverde insistoi në qëndrimin e mesfushorit dhe bllokoi tratativën.

PSG mandatoi një ndërmjetës të fuqishëm, i cili kontaktoi me spanjollët në mes të gushtit për t’u interesuar mbi situatën e Rakitiç. Barcelona priti të mësonte ofertën e PSG dhe nëse oferta e tyre do të ishte e kënaqshme, topi do të kalonte në anën e kroatit, i cili do të merrte vendimin final. Kontaktet u kryen për 15 ditë rresht dhe shumë zëra në klubin spanjoll ishin pro shitjes së 30 vjeçarit.

PSG nuk kishte në plan të paguante klauzolën prej 125 milionë eurosh duke llogaritur moshën e madhe të Rakitiç dhe oferta e tyre shkoi deri në 90 milionë euro. Barcelona i dha leje francezëve të bisedonin me lojtarin dhe mbasi të mësonin mendimin e tij, atëherë klubet do të diskutonin detajet e fundit të marrëveshjes. Lojtarit iu afruan 8 milionë euro në sezon duke i dyfishuar rrogën.

Kroati informoi Barcelonën mbasi dëgjoi ofertën e kampionëve të Francës dhe i bëri të qartë klubit dëshirën për të qëndruar. Në atë moment klubi spanjoll, duke parë dëshirën e kroatit për të qëndruar, vendosi të refuzonte ofertën e PSG. Ndikim pati dhe Valverde, i cili mbasi humbi Iniestën dhe Paulinjon, nuk dëshironte të privohej nga një tjetër mesfushor i rëndësishëm. Ai foli me lojtarin dhe palët vendosën përfundimisht për të vazhduar bashkëpunimin e tyre, ndërsa PSG-së i mbeten pak ditë për të blerë një tjetër mesfushor të nivelit të lartë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *