Anglia dhe Kroacia do ta shohin veten sërish përballë njëra-tjetrës këtë të dielë, në një takim ku fituesi do të sigurojë kreun e grupit, ndërsa barazimi do “digjte” të dyja skuadrat, pasi në këtë skenar “bileta” e kreut do t’i shkojë Spanjës që momentalisht mban vendin e parë me një ndeshje më shumë se Anglia e Kroacia.
Natyrshëm, që vendasit vijnë si favoritë, por në një intervistë për “The Guardian” mesfushori kroat Ivan Rakitiç u kujton të gjithëve se situata ishte e njëjtë edhe para gjysmëfinales së Botërorit të kaluar, ku ballkanasit eliminuan “tre luanët” në një ndeshje ku djemtë e Gareth Sauthgejt erdhën me doza të mëdha euforie.
“Para gjysmëfinales të gjithë po përdornin shprehjen ‘Football’s Coming Home’, nuk ishte diçka ofenduese për ne, por as diçka e këndshme. E kuptoj që i gjithë vendi kishte dëshirën për të fituar trofeun, por akoma nuk kishin luajtur me ne”, tha kroati.