Pol Pogba nuk i ndahet idesë se dëshiron të largohet nga Junajtid. Në lidhje me këtë çështje dhe me sjelljen e tij ai ka marrë vazhdimidht kritika. Pas zënkës me Murinjon dhe shkarkimit të portugezit, u krijua mendimi se Pogba do qëndronte për të qenë shtylla e ekipit.
Gjithsesi, nuk është e thënë të ndodhë kështu sepse francezi dëshiron të largohet nga “Djajtë e Kuq”. Kritikat vazhdojnë dhe duket se nuk kanë të ndalur. Është agjenti i Pogba, Mino Raiola që shndërrohet në një lloj “Mic Sokoli”, duke u munduar t’i bëjë ballë gjithë sulmeve drejt mesfushorit.
Agjenti shprehet se Pogba nuk ka bërë asnjë gabim dhe njerëzit flasin pa pasur informacionin e duhur. Thekson përsëri se Junajtid e di kohë më parë vendimin e tij dhe shprehet se do gjejë një rrugë të mesme për të gjitha palët.
“Pogba nuk ka bërë asgjë të gabuar. Ai ka treguar respekt dhe profesionalizëm çdo ditë. Klubi e ka ditur mendimin e tij para shumë kohësh. Është e turpshme që njerëzit e kritikojnë pa pasur informacionin e vërtetë. Gjithashtu më vjen keq që klubi nuk reagon, duke mos marrë një pozicion për këto veprime. Jam i bindur se shumë shpejt do të gjejmë një zgjidhje të favorshme për të gjithë”, u shpreh Raiola.