Marko Radas, kroati i mbrojtjes së Skënderbeut, ka dalë sot para mediave. Në Vlorë ai luajti me injeksion, por për kapitenin kjo është normale, pasi e ka ndjerë ta bëjë diçka të tillë. “Normale ta sakrifikosh, është puna ime dhe e bëj me dëshirë këtë gjë për Skënderbeun. Gjetëm gjuhën e përbashkët me presidentin, projekti ishte interesant. Ai kishte nevojë dhe unë jam pjesë e Skënderbeut prej shtatë vitesh dhe është si familje për mua”, u shpreh qendërmbrojtësi.
NISJA E KAMPIONATIT – “E kemi nisur shumë mirë dhe në këto katër javë kemi marrë 10 pikë. Ekipi është i ri, por djemtë kanë dëshirë për të treguar vlerat. Vrapojnë dhe punojnë shumë. Ata kanë qenë edhe vitin e kaluar. Kemi edhe lojtarë me eksperiencë. Është vetëm fillimi, ka edhe 32 ndeshje. Sa kam parë unë në Shqipëri, fillimi është shumë i rëndësishëm”.
GARA – “Çdo ndeshje është e vështirë nëse nuk je i përqendruar. Por ne jemi Skënderbeu dhe nuk kemi frikë asnjë ekip. Normale që do i respektojmë kundërshtarët. Çdo skuadër është për t’u mundur, jo vetëm Skënderbeu. Ne shohim punën tonë. Objektivi ynë është ndeshja e radhës, tani kemi Tiranën dhe jemi të përqendruar për të fituar”.
OFERTA DHE DJALI– “Faleminderit që më kërkoi, por shtatë vjet këtu janë shumë dhe nuk mund të kalosh në një klub tjetër kaq lehtë. Edhe këtu, Gesti dhe presidenti më bindën, më dhanë shiritin. Ishte një nga arsyet që qëndrova. Djali im me Skënderbeun? Djali të mbarojë shkollën njëherë. Nëse i pëlqen, pse të mos vazhdojë këtë rrugë”.