Rahem Sterling ka përfunduar disa herë “viktimë” e thirrjeve raciste gjatë këtij sezoni, por sulmuesi i Mançester Sitit, që luan sonte kundër Totenhemit ndeshjen e parë të fazës çerekfinale të Champions Ligës, ka konfirmuar bindjen e tij.
24-vjeçari ka ngritur përsëri zërin kundër racizmit. Ai preferon të përballet dhe jo t’i shmanget kësaj dukurie të keqe, ndërsa thekson se ndihet krenar me ngjyrën e tij të lëkurës.
Jaja Ture insistoi para disa ditësh që të gjithë lojtarët e ekipit duhet të largohen nga fusha, kur dikush prej tyre ofendohet me kore raciste. Sterling nuk është dakord dhe e shpjegon mendimin e tij.
“Nuk mendoj se po tentoj të bëj diferencën. Unë tregoj atë që më ka ndodhur dhe njerëzit e shohin nga perspektiva ime. Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të ecur para. Nuk jam dakord që lojtarët duhet të largohen nga fusha kur ofendohen. Fitimi i ndeshjes do i lëndojë më shumë atë që këndojnë kore raciste, të cilët tentojnë që të dekurajojnë. Nëse ti largohesh nga fusha, fitojnë ata, kështu që është më mirë të qëndrosh dhe të fitosh ti”, thekson lojtari i lindur në Xhamajka. Sulmuesi i “Qytetarëve” zbulon dhe një detaj gjatë fëmijërisë së tij. Forca e tij e madhe buron nga këshillat e nënës së tij.
“Duke u rritur, nëna ime ma ka përsëritur gjithmonë që jam një djalosh i zi i mrekullueshëm. Jam krenar dhe i lumtur për ngjyrën time të lëkurës. E di që abuzimi nuk është i mirë. Ai të infekton dhe disa njerëz nuk e përballojnë dot. Nëna ime ka insistuar gjithmonë gjatë rritjes time që ta dua veten.”
Sterling ka luajtur për tre sezone me Liverpulin përpara se të kalonte te Mançester Siti në vitin 2015. Ai është rritur në Londër, aty ku ka kaluar për mrekulli, ndërsa racizmin e provoi për herë të parë në qytetin e “Beatles”.
“Në Londër ka bashkësi të ndryshme dhe në klasë kam qenë i rrethuar nga njerëz të çfarëdolloj race apo ngjyre lëkure. Nuk më ka rastisur të ndjej racizmin në Londër, ndërsa disa episode më kanë ndodhur në Liverpulin verior. Aty provova për herë të parë se çfarë do të thoshte racizëm”, përfundon lojtari i kombëtares angleze.