Real Madrid është në një nga periudhat më të vështira të tij, teksa nuk ka mundur që të marrë më shumë se 1 fitore në 6 takimet e fundit në të gjitha garat. Kampionët në fuqi të Europës u kthyen tek suksesi në ndeshjen e mesjavës ndaj Viktoria Pëlzenit dhe suksesi i arritur ishte mëse i domosdoshëm para takimit me Barcelonën të dielën.
Trajneri Lopeteguri është në fije të perit dhe në Spanjë janë të bindur se orët e tij në krye të galaktikave janë të numëruara, por një sukses në “El Clasico” mund t’i qetësojë ndjeshëm ujërat. Ish-timonieri i përfaqësueses spanjolle normalisht që dëshiron një skuadër të plotë për takimin me katalanasit, por shqetësime kishte paraqitur Marselo, i cili në ndeshjen e Ligës së Kampioneve doli i dëmtuar.
Gjithsesi, Lopetegui duhet të qetësohet, pasi braziliani është parë që të stërvitet normalisht me pjesën tjetër të skuadrës, duke mos shfaqur ndonjë problem, ndonëse frika pas takimit me Pëlzenin ishte evidente. Ndeshja me Barcelonën do të zhvillohet këtë të diel në orën 16:15.