Reali i Madridit e mbylli sezonin me një humbje në shtëpi. Ekipi i Zidan u mposht 0-2 nga Betisi, ndërsa Garet Bejl e pa gjithë ndeshjen nga stoli. Trajneri francez nuk i dhuroi asnjë minutë, ndërsa pritet largimi i uellsianit nga “Los Blancos”.
Raporti mes lojtarit dhe trajnerit është krisur totalisht dhe 29-vjeçari mund të rikthehet në Premier Ligë, pavarësisht se dëshiron të qëndrojë dhe të tregojë vlerat e tij. Në ndihmë i ka dalë Piter Krauç, ish-shoku i ekipit te Totenhemi.
“Pozitat e Bejl te Reali më trishtojnë. Është qesharake të heqësh dorë nga një lojtar me kualitetin e tij. Kemi të njëjtin agjent dhe ai më ka treguar se Garet dëshiron të qëndrojë në Spanjë. Është i lumtur te Reali dhe dëshiron të fitojë postin e titullarit. Nëse nuk do të luante rregullisht edhe sezonin e ardhshëm, do dëshiroja shumë që të rikthehej te Totenhemi”, përfundon Piter Krauç.