Sezoni për PSG ka mbaruar dhe në “Parc de Princes” po bëhen gati për të seleksionuar skuadrën e vitit të ardhshëm. Trajneri Tomas Tuhel dhe drejtori sportiv Henrike po punojnë së bashku për të ndërtuar ekipin e vitit të ardhshëm, por edhe për të larguar disa lojtarë që nuk janë në planet e tyre për të ardhmen. Disa kanë paga të majme, por nuk kanë dhënë atë që pritej. Lista është mjaft e gjatë.
Julian Draksler, Tomas Mënier, Kristofer Nkunku, Edinson Kavani, Çupo-Moting, Stenli Nsoki, Kurzaua, Musa Diabi dhe Prensel Kimpembe janë në listën e dy drejtuesve të klubit për t’u larguar në verë. Një listë mjaft e gjatë me dhumicën e këtyre lojtarëve që janë aktivizuar me pikatore. Bien në sy emra si Kavani, Draksler dhe Kimpembe.
Kavani e ndjen veten më pak të rëndësishëm, me dyshen Nejmar-Mbape, që mbajnë peshën më të madhe në ofensivën pariziene. Qendërsulmuesi prej kohësh përflitet për një rikthim në Serie A. Kimpembe është një lojtar i ri dhe shihej si e ardhmja e mbrojtjes së francezëve. Gjithsesi 23-vjeçari, përtej besimit të trajnerit Tuhel, nuk ka treguar rritje në lojën e tij. Ai ka mbetur një djalosh, që herë pas here bën gabime dhe nuk pasqyron siguri.
Me Julian Draksler është një situatë më e ndërlikuar se me të tjerët. Vetë lojtari e ka pranuar publikisht se dëshiron të vazhdojë në Paris. Trajneri e pëlqen gjermanin dhe deri këtu gjithçka është në rrugën e duhur. Por drejtori Henrike nuk ka besim te aftësitë e gjermanit dhe dëshiron ta largojë 25-vjeçarin. Ai sheh si zëvendësuesin ideal të tij meksikanin e PSV, Hirving Lozano. Ky i fundit është një lojtar, që kanë shfaqur interes disa klube dhe deri para pak ditësh shihej shumë pranë Napolit.
Shuma e grumbulluar nga shitja e gjithë këtyre lojtarëve do ta ndihmonte skuadrën franceze të evitonte problemet me rregullat e ndershmërisë financiare të UEFA-s dhe të futej fuqishëm në merkato. Nëse të gjithë këto lojtarë do të shiteshin me vlerën reale të tregut të transferimeve, presidenti Al Kelaifi do të arketonte rreth 155 milionë euro në llogarinë e klubit.