PSG ende nuk e ka nisur merkaton e saj, me francezët që nuk kanë zyrtarizuar asnjë transferim. Klubi ka emëruar së fundmi Leonardon si drejtorin e ri sportiv, me këtë të fundit që mori vendin e Antero Henrikes.
Leonardo ka nisur nga puna dhe objektivat e parë janë pikasur. Në krye të listës duket se qëndron Sergej Milinkoviç-Saviç. Serbi është një ndër të preferuarit e Leonardos, teksa braziliani provoi ta merrte edhe te Milani, në kohën kur ishte pjesë e kuqezinjve.
Ditët e ardhshme do të ketë një takim mes Leonardos dhe agjentin të Milinkoviç-Saviç, Mateja Kezhman. Problemi i vetëm duket se është Klaudio Lotito, pasi presidenti i Lacios kërkon 100 milionë euro, ndërsa aktualisht PSG ofron 80 milionë (75 + 5 bonuse).
Lotito së fundmi është dorëzuar dhe ka thënë se te Lacio nuk duhet të qëndrojnë lojtarë që nuk kanë dëshirë të luajnë aty. Frazë kjo, që iu referua pikërisht serbit.