Problemi i Kukësit dhe Shkurtaj, Ramadan Ndreu flet “pa doreza”

Ndërsa në dy fazat e para Kukësi u rendit në vendin e dytë, vetëm 3 pikë larg Partizanit të vendit të parë, Drejtori i Menaxhimit të kësaj skuadre, Ramadan Ndreu, deklaron për SportEkspres.com se mangësia e cila e mbajti në këtë pozicion është përshtatja me vonesë e grupit të lojtarëve të rinj, të cilët erdhën në këtë skuadër gjatë merkatos së verës.

Për pjesën tjetër të sezonit, Ndreu deklaron se Kukësi lufton në të dy frontet e këtij sezoni: Titullin Kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Ndërsa për merkaton e janarit, drejtori Ndreu thekson se Kukësi thuajse e ka mbyllur me Rrocën e Shkurtajn, por ai nuk e përjashton edhe ndonjë emër të ri, që sipas tij të jetë talent që t’i shërbejë skuadrës për sezonin tjetër.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Si e përshkruani skuadrën e Kukësit në 18 javët e dy fazave të para të Superiores?
-Për Kukësin, dy fazat e para kanë qenë shumë të mira, pavarësisht pikëve që kemi marrë dhe pozicionin në renditje. Ne jemi ekipi i vetëm në Superiore që kemi zhvilluar lojëra të mira dhe 3 pikët larg Partizanit nuk janë ndonjë diferencë e madhe. Realisht ne jemi skuadër e stabilizuar.

Ku ka gabuar Kukësi në këto 18 javë, duke u nisur nga vendi i dytë në renditje?
-Skuadra u rinovua gjatë verës dhe si e tillë ka në përbërje lojtarë të rinj, të cilët duan kohën duhur që të përshtaten me grupin. Kjo ka qenë pjesë më e errët e Kukësit në dy fazat e para, ndërsa në treguesit e tjerë mendojmë se pritshmëritë tona janë arritur.

Përveç lojës së mirë që Kukësi ka zhvilluar, cilët kanë qenë treguesit e tjerë të skuadrës në dy fazat e para?
-Faza e dytë ka qenë më e mirë për Kukësin, thuajse në të gjithë treguesit. Së pari me ndeshje shumë të mira, por edhe me rezultate të tilla. Kjo situatë na jep më shumë besim për dy fazat e tjera që të mos ndryshojmë kursin e rezultateve, por edhe synimet tona të sezonit.

Duke qenë në periudhë pushimesh, gjatë janarit do të ketë stërvitje dhe merkato te Kukësi?
-Përgatitjet do të vazhdojnë, por ne kemi zyrtarizuar edhe merkaton tonë pas mbylljes së fazës së dytë me Rrocën, ndërkohë që edhe Shkurtaj është pjesë e Kukësit, shpejt do të kemi edhe zyrtarizimin e tij. Merkato e dimrit është e vështirë për lojtarë cilësorë, ne do të shohim për ndonjë talent në moshë të re.

Po stafi teknik i Kukësit, sa mendoni se i është përgjigjur nivelit të skuadrës në dy fazat e para?
-Stafi teknik, dhe në veçanti trajneri Cungu, kanë bërë punë shumë të mirë me skuadrën. Natyrisht që gjithçka e mirë lidhet edhe me punën e trajnerit, i cili ka meritën e formimit të një grupi shumë të mirë, njëherësh ka edhe një bashkëpunim të shkëlqyer me lojtarët. Kjo ka shumë rëndësi.

Mbeteni ende në synimin final për titullin kampion?
-Absolutisht që po, madje do të thoja se Kukësi në këtë sezon lufton në të dy frontet: Kampionat dhe Kupë. Më duhet ta përsëris edhe një herë faktin se kemi lojtarë cilësorë, të cilët e garantojnë arritjen e këtij suksesi, për të cilin do të luftojmë deri në fund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *