Suad Lici pranoi ofertën e Vllaznisë në fillim të sezonit dhe aktualisht është administrator i kuqebluve. Shkodrani, që dikur ka shkëlqyer si futbollit, tregon planet e së ardhmes dhe gjithçka po bëjnë në qytetin verior për të rikthyer Vllazninë në nivele të larta.
Në një lidhje direkte me emisionin “Zona Gol” në Supersport, Lici tregon shumë gjëra. Buxheti, privatizimi i klubet, takimet në Katar dhe sigurisht që nuk mund të anashkalohen problemet e fundit që kuqeblutë kanë pasur. Presionet në Shkodër duken të pashmangshme dhe momentalisht Lici zbulon se janë marrë dy masa.
“Unë mendoj që Vllaznia është klubi më i formalizuar. Ndryshe nga klubet e tjera, kemi çdo kontratë të formalizuar në mënyrë të saktë. Borxhet janë akumuluar gjatë viteve të kaluara. Nuk kemi qenë aty ku duhet në këtë periudhë. Shumë gjëra ndikuan që të binim në Kategorinë e Parë”.
“Me ardhjen e stafit të ri kemi bërë uljen e kontratave. Ka qenë një situatë aspak e këndshme. Lojtarët kanë pasur presion nga qytetarët. Gjithsesi unë dua t’i falënderoj sportistët për punën e tyre dhe drejtuesit për korrektësinë në pagesa”.
BUXHETI – “Para pak ditësh u miratua dhe buxheti nga këshilli bashkiak. Gjysmën e lekëve do e financojë bashkia, ndërsa gjysmën tjetër do arkëtojë vetë klubi, pra ne si drejtues kemi detyrë t’i gjejmë. Synimi im është që vitin tjetër të ndërtojmë një Vllazni cilësore. Buxheti në total për të gjithë strukturat e klubit është diku te 570 milionë lekë. Këtu përfshihen punonjësit bashkiakë, klubi dhe të gjithë punonjësit e akademisë”.
BORXHET DHE PRIVATIZIMI – “Nëse ne do të jemi të suksesshëm që të ndërtojmë një Vllazni cilësore, mendoj se borxhet do t’i shlyejmë brenda dy ose tri viteve. Në asamble u përmend nga kryetarja e bashkisë që aksionet do të kalojnë në asamblenë e këshillit e më pas do të vendoset nëse një pjesë e aksioneve do t’i kalojnë privatit”.
“Unë kam hyrë me dëshirën e mirë për të bërë diçka ndryshe. Nëse nuk do kem rezultat e duhura, do të jem vetë i pari që do largohem. E kam marrë me shumë dëshirë fillimisht. Kemi hasur shumë pengesa. Drejtori teknik po merret me planet e së ardhmes. Në maj do të bëjmë një vizitë në Katar, ku shpresojmë të gjejmë disa sponsorë. Kjo është lëvizje që po bëjmë për t’i lehtësuar ‘dhimbjet’ Bashkisë e taksapaguesve shkodranë”.
MUNGESË SPONSORËSH NË SHKODËR – “Deri në këto momente që flasim, Suad Lici ka marrë 0 lekë nga biznesmenët shkodranë. Ka vetëm fjalë. Çdo gjë e ka përballuar Bashkia, ndoshta dhe vetë privatisht me diçka nga familja ime dhe biznesi im”.
KATEGORIA E PARË – “Kemi bërë një ecuri pozitive. Kemi pasur edhe ne luhatjet tona. Jemi të kënaqur. Falënderoj edhe ekipet e tjera, krahas luftës sportive, na kanë pritur mirë. Mendoj se kemi bërë një tranzicion të qetë”.
PRESIONI NDAJ TRAJNERIT – “Në një klub futbolli gjithmonë do të ketë problematika. Ka lojtarë që kërkojnë më shumë minuta, por gjithçka duhet të vendoset nëpërmjet meritokracisë. Ne këtë kërkojmë të vendosim në klub. Nëpërmjet meritokracisë, lojtarët mund të japin më të mirën për skuadrën. Klubi ka marrë dy masa pas një ankese të trajnerit Canaj. Me ardhjen e drejtorit teknik do ta analizojmë këtë situatë”.
PERIUDHË PROVE – “U kam thënë sportistëve se këto dy muaj do ju shërbejnë, menjëfjalë janë në një lloj prove. Trajneri Lika na ka lënë një raport, një të tillë do e përgatisë tekniku Canaj më vonë dhe drejtori teknik. Më pas do të vendosim për merkaton. Pak a shumë i kemi të qarta idetë. Në përfundim të sezonit do merren hapa konkretë”.
“Unë nuk dua të jem euforik, por besoj se Vllaznia vitin tjetër do të jetë krejt ndryshe. Të them të drejtën e kam përjetuar mjaft këtë. Kam pasur shumë vuajtje, aq më tepër tani që jam në rolin drejtues. Jam shumë i vetëdijshëm për çfarë kërkon Shkodra dhe futbolli shkodran. Po punojmë dhe do vazhdojmë të punojmë”.