Pritet vendimi për PSG-në, Spanja nuk “beson” tek UEFA!

Reali i Madridit është me sy e veshë nga UEFA. Nëse qeveria europiane e futbollit do të vendosë sanksione për klubin e PSG për shkelje të rregullave të FFP(fair-play financiar), atëherë njëri prej Mbape ose Nejmar do të përgatiste valixhet dhe Reali do të jetë gati për të përfituar. Klubi francez duhet të reduktojë borxhin prej 250 milionë eurosh, përndryshe, ata mund të përjashtohen nga Champions. Për këtë temë ka reaguar dhe kreu i Ligës Spanjolle të Futbollit, Havier Tebas.

Unë nuk jam shumë optimist, sepse UEFA po zbaton sanksionet financiare të FFP në mënyrë shumë të butë. La Liga ka kërkuar një rishikim të llogarive financiare të PSG, sepse mendojmë që nuk janë të përshtatshme për ne”, shpjegon Tebas, i cili mbështet faktin që klubet si: PSG dhe Mançester Siti, të cilët marrin ndihma nga Katari në rastin e francezëve dhe sponsorizime nga Abu Dabi në rastin e anglezëve, po dëmtojnë merkaton.

Klubi parisien kreu një merkato të çmendur verën e kaluar duke blerë Nejmarin për 220 milionë euro dhe Mbapenë për 180 milionë të tjera. Paratë për sulmuesin francez nuk janë paguar akoma dhe të hënën skadon afati i fundit, përndryshe Mbape do te kthehet te Monako.

UEFA e ka rihapur dhe njëherë çështjen e PSG dhe ia ka kaluar Dhomës Gjyqësore të Kontrollit Financiar të klubeve kryesuar nga Hoze De Kunha, i cili duhet të marrë një vendim deri në fund të muajit gusht. Por, ai mund të flasë dhe sot, vetëm 48 orë mbas përfundimit të kohës që PSG duhet të kryejë transferimin e 180 milionë eurove.

Reali po monitoron situatën, por Florentino Perez nuk dëshiron të prishë marrëdhënien me PSG dhe ai do të fillojë negociatat me Mbape, vetëm nëse klubi francez do të jetë i detyruar të heqë dorë nga ai. Sipas amendamentit të fundit të UEFA-s sa i përket FFP, klubet mund të shpenzojnë vetëm 5 milionë euro më shumë sesa fitojnë për tri vitet e ardhshme. PSG duhet të bëjë mirë llogaritë dhe të sigurohet që të ardhurat e tyre gjatë tri viteve të fundit, t’i kalojnë 50 milionë eurot. Kështu që, ose duhet shitur njëri nga yjet e ekipit, ose francezët përjashtohen nga Champions. Megjithatë, burime pranë La Ligës thonë që: “teknikisht është kështu, por duhet të shohim nëse UEFA do të guxojë të ekzekutojë këtë vendim. Gjithsesi në Spanjë mendojnë që klubi francez do t’ia hedhë me një gjobë dhe asgjë më shumë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *