Nëse Trepça ’89 buzëqesh në Champions League, sepse të paktën një tur mund ta kalojë, e kundërta vlen për Prishtinën.
Klubi nga kryeqyteti i Kosovës ka qenë vërtet pa fat, sepse në turin e parë kualifikues në Europa League do të ndeshet me Norrkopingun e Suedisë, skuadër dukshëm superiore, që vjet fitoi titullin në Suedi dhe është sërish në garë për titull, sepse kryeson së bashku me Malmon.
Një avantazh tjetër i madh i Norrkopingut është fakti se ka luajtur 13 ndeshje kampionati dhe është në kulmin e sezonit.
Ndërkaq, Shkëndija e Tetovës ka peshkuar Daçian e Kishinjevit. Moldavët janë ndeshur edhe me Teutën tonë më parë, duke triumfuar, por nuk është se kanë ndonjë nivel më të lartë nga Shkëndija dhe tetovarët i kanë të gjitha shanset të avancojnë më tej.