Fitorja në derbi ka ardhur në momentin më të mirë për Interin. Zikaltrit treguan forcë të madhe përballë kuqezinjve të Gatuzos, duke siguruar një trepikësh të rëndësishëm për objektivin Champions.
Atmosfera është shumë pozitive, ndërsa po shkon drejt zgjidhjes edhe çështja e Mauro Ikardit. Në lojë është futur presidenti Stiven Zhang, i cili ka vendosur të zgjidhë përfundimisht këtë situatë. Fundi do të jetë i lumtur për të gjithë, lojtarin që do të kthehet në ekip.
Lojtari dhe agjentja e tij morën konfirmimin që Interi nuk ka vullnet të vazhdojë konfliktin dhe se argjentinasi vazhdon të mbetet në qendër të projektit të klubit zikaltër. Siç raportojnë mediat italiane, gjithçka do të përfundojë me “tym të bardhë” ditën e premte në takimin e madh mes palëve.
Punë të madhe ka bërë dhe Xhuzepe Marota. Administratori i deleguar i Interit u shpreh gjatë ditës së djeshme se Ikardi meriton të rikthehet në grup, sepse është një lojtar zikaltër dhe të gjithë po punojnë për zgjidhjen finale, që do të vijë ditën e premte.