Braziliani Malkom ishte një nga lojtarët më të kërkuar të merkatos së verës. 21-vjeçari shkëlqeu me Bordonë dhe në drejtim të tij vërshuan ofertat e Romës dhe Interit. Verdhekuqtë arritën akordin me lojtarin dhe klubin francez, por Barcelona ndërhyri në momentet e fundit, me avionin e lojtarit që ndërroi drejtim nga Roma drejt Katalunjës.
Megjithatë, sulmuesi i talentuar nuk ka arritur të fitojë shumë minuta në këtë periudhë dhe shumë herë nuk ka parë as stolin e ekipit. Kokën ulur dhe shumë punë e dedikim për të pritur momentin e tij. Një gjë e tillë erdhi në sfidën e Champions-it përballë Interit, me ndihmën e… Leo Mesit.
Kapiteni i Barcelonës vazhdon të jetë i dëmtuar, por ai dhe shokët e tij janë befasuar nga qëndrimet e Malkom në tribunë. Një gjë e tillë e ka shtyrë yllin argjentinas të bisedojë me trajnerin Valverde, siç citon “El Mundo Deportivo”. Mesi e ka pyetur trajnerin nëse ka ndonjë problem me lojtarin e ri, ndërsa Valverde e ka mohuar një gjë të tillë. Mesi i ka kërkuar trajnerit të fillojë t’i japë minuta lojtarit dhe… u tha, u bë.
Valverde e hodhi Malkom në fushë në minutën e 81 kundër Interit dhe lojtarit i deshën disa sekonda për të lënë shenjën e tij. Një gol i bukur dhe shpërthimi në lot gëzimi, me shokët e skuadrës duke e përqafuar dhe me Leo Mesin në tribunë, i cili mund të ketë qenë duke buzëqeshur për gëzimin e golit, por dhe për insistimin e tij të drejtë.
Tani që janë dëmtuar Dembele me Kutinjon dhe me Mesin akoma jashtë, Malkom do të ketë më shumë minuta dhe ai është gati t’i shfrytëzojë për t’i bindur të gjithë, që është një lojtar i denjë për Barcelonën.