Milani dhe Lacio zhvilluan një ndeshje shumë të fortë dhe plot rivalitet. Përballje shumë e rëndësishme për të dy skuadrat për kualifikimin në Champions Ligë. Vetëm një gol i shënuar, por shumë raste, duele të forta, pritje fantastike nga dy portierët, penallti të (pa)akorduara dhe shumë tension.
Goli i Frenk Kesi nga pika e penalltisë i dhuroi tre pikë shumë të rëndësishme kuqezinjve të Gatuzos, të cilët janë rikthyer te fitorja dhe vendi i katërt. Një episod i pakëndshëm dhe aspak sportiv ndodhi në fund.
Pasi ishin thumbuar gjatë javës në rrjetet sociale, Açerbi i Lacios dhe Bakajoko i Milanit ndërruan bluzat. U duk se “paqja” u vendos, por francezi u tregua tinëzar, mori bluzën e kundërshtarit dhe e valëviti përpara tifozëve të tij gjatë festës së fitores bashkë me Kesin.
Një veprim i tillë nuk u pëlqye fare dhe polemikat u bënë të pandalshme. Zgjedhja për të festuar në atë mënyrë nuk ju pëlqeu as disa lojtarëve të Milanit, madje dy prej tyre tentuan të frenonin këtë episod.
Siç raportojnë mediat italiane, Lukas Bilja dhe Mateo Muzakio insistuan që ai veprim të mos bëhej, por bluza e Açerbit ishte valëvitur mjaftueshëm për t’u kapur nga kamerat dhe fotografët. Megjithatë, Bakajoko ka reaguar në rrjetet sociale. Francezi theksoi se e gjitha ishte një shaka dhe i kërkonte ndjesë mbrojtësi lacial, nëse ky i fundit ishte ndjerë i fyer.