Prapaskena, Ançeloti e “kërkoi” vetë largimin

Don Karlo nuk ua shpjegoi formacionin lojtarëve në Paris, por thjesht shkroi 11 emra në tabelë. Ai praktikisht e kërkoi shkarkimin

Karlo Ançeloti duket se e ka parashikuar largimin e tij nga Bajerni. Të mërkurën, në ndeshjen me PSG-në, ai luajti “blofin” duke rrezikuar në maksimum. Plani i tij ka qenë i qartë, të tregojë “tradhtarët”, të cilët janë Arjen Roben, Frenk Riberi, Mats Humels dhe Zherom Boateng. Italiani befasoi duke lënë jashtë 11-shit titullar pikërisht këta lojtarë, duke mos luajtur me asnjë mesfushor tipik krahu. Trajneri preferoi të luajë me sistemin 4-3-3, krejtësisht të ngjeshur, me lojtarë si Arturo Vidal, Korentino Toliso dhe Tiago Alkantara në mesfushë, që mbështesnin dyshen Tiago-Myler dhe më pas Levandovskin. Pra, saktësisht ai luajti me 4-3-2-1.

Prapaskena

“Sport1” ka zbuluar episodin kur italiani ka njoftuar formacionin e tij para skuadrës së tij. Sipas një lojtari, i cili normalisht që do të mbetet anonim, Ançeloti thjesht ka shkruar 11 emra në tabelë, ata të cilët do ta nisnin nga minuta e parë, dhe është larguar pa ndonjë koment shtesë. “Klubi duhej të vepronte. Dukej sikur trajneri po e provokonte vetë shkarkimin nga puna”, – shprehet burimi i televizionit gjerman.

Përshëndetja

Pavarësisht shkarkimit, Ançeloti nuk mund të mos tregohej zotëri me fjalët e fundit, siç është gjithmonë dhe për këtë nuk ka diskutim. “Ka qenë një nder i madh të jem pjesë e historisë së Bajernit. Dua të falenderoj klubin, lojtarët dhe tifozët e mrekullueshëm. Ciao dhe Mia San Mia!” – shkroi dje italiani në faqet e tij zyrtare në Facebook, Instagram dhe Twitter.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *