Në Shqipëri, për makutëri apo për të mbajtur larg tifozët kundërshtarë, aplikohet shpesh moda e çmimeve të çmendura për bileta, herë për tifozët kundërshtarë e herë për gjithë stadiumin. Edhe këtë javë Kukësi ka vendosur të bëjë të njëjtën gjë: bileta më e lirë 10 mijë lekë të vjetra, për ndeshjen Kukësi-Partizani, në Shkodër!
Nuk është hera e parë që ndodh, nuk është hera e parë që e bën Kukësi, sepse edhe në ndeshjen famëkeqe kundër Skënderbeut, që i dha titullin edhe falë ‘golave’ të arbitrit, u vendosën çmime skandaloze, ndërkohë që më pas u bënë lojëra të tjera, me bileta falas për tifozët kuksianë.
Ajo që bie në sy në gjithë këtë histori është heshtja e FSHF-së, qeverisë së futbollit shqiptar. Po kjo FSHF në vitin 2014 dilte me një deklaratë të fortë kundër Skënderbeut, duke i kërkuar të ulte çmimet për tifozët e Tiranës, që ashtu si tani ata të Partizanit, duhej të paguanin 10 mijë lekë.
“Ky është një lloj diskriminimi krejtësisht i papranueshëm dhe i paprecedent në futboll. Në statutin e Federatës Shqiptare të Futbollit Neni 1 thuhet: “Diskriminimi i çdo lloji kundër një vendi tjetër, personi privat ose grupi njerëzish në lidhje me origjinën etnike, gjinore, gjuhën, fenë, politikat ose ndonjë arsye tjetër është krejtësisht e ndaluar dhe dënohet me pezullim, përjashtim ose ndonjë vendim tjetër disiplinor”. Federata Shqiptare e Futbolli i kërkon Klubit të Futbollit “Skënderbeu”, si organizator i ndeshjes, që urgjentisht të marrë masa, për të bërë të barabartë çmimin e biletës për të dyja tifozeritë, si të Tiranës ashtu edhe të Skënderbeut. Në rast të kundërt, bëjmë me dije se ndeshja nuk do të zhvillohet”.
Tani Kukësi e shmang akuzën e diskriminimit duke u mbrojtur se çmimi është njësoj për të gjithë, por duket qartë synimi për të mbajtur larg tifozët e Partizanit, ose në rastin më të keq, t’u rrjepë ca milionë lek Partizanit dhe tifozëve të kuq, që do të kërkojnë ndoshta ndihmën e klubit.
A është justifikim që FSHF të mos flasë fare, qoftë edhe me një “tërheqje veshi” për Kukësin? A nuk është një goditje e rëndë për imazhin e Superiores dhe FSHF-së një stadium bosh në ndeshjen e sezonit? A nuk është një turp edhe për Supersport, që i bën nder Superiores duke e mbuluar në çdo cep të Shqipërisë, ndërkohë që u servir klientëve të vet një ndeshje si film i viteve ’30, sepse kështu i teket presidentit të Kukësit?
Sa për informacion, FSHF duhet të dijë që UEFA ka vendosur të caktojë një tavan për çmimet e tifozëve në transfertë në kompeticionet e europiane, për shkak se disa klube kanë abuzuar këtë sezon dhe Barcelona kishte vendosur si çmim 120 euro për një biletë, për çdo tifoz të Mançester Junajtid në Camp Nou.
Po ashtu, Porto caktoi çmim 90 euro për tifozët e Liverpulit, 3 herë më lart se për tifozët vendas.
Për të shmangur acarimin dhe hakmarrjet në ndeshjet e kthimit, UEFA do të ndërhyjë, sepse stadiumet bosh dhe helmi mes klubeve e tifozerive duhen shmangur.
Po në Shqipëri, a mendon kush për këto? Çfarë do të ndodhë në ndeshjen e fazës së katërt Partizani-Kukësi? A e mendon kush çfarë tensioni do ketë, nëse tifozët e Kukësit do kërkojnë qindra bileta dhe do u vendoset sërish çmim 10 mijë, apo 15 mijë lekë të vjetra? Po sikur Partizani ta vendosë çmimin 30 mijë lekë për biletat e tifozëve të Kukësit, a do i paguajë Kukësi?