Artim Pollozhani, futbollisti polivalent i Flamurtarit, ka folur për sfidën e Kupës me Tiranës, që zhvillohet nesër në kryeqytet. Shqiptari nga Maqedonia kërkon rezultat pozitiv dhe thekson se çështja e kualifikimit do të vendoset në takimin e dytë.
“Zyrtarisht nisim nesër, një ndeshje kupe, specifike. Nuk mbaron gjë nesër, janë dy ndeshje nga 90 minuta. Mendoj se gjatë minifazës ekipi është përgatitur, lojtarët kanë marrë ngarkesën e duhur. Do futemi në fushë 100% për ta marrë një rezultat pozitiv, në mënyrë që t’ia bëjmë vetes më të lehtë ndeshjen e kthimit”, u shpreh fillimisht Pollozhani para gazetarëve.
Në fokus më pas ishte skuadra e drejtuar nga Ardian Mema: “Tiranën e njohim, bëhet fjalë për një kundërshtar të mirë dhe të fortë, pavarësisht pozicionit në renditje. Po t’u lësh hapësira janë të rrezikshëm. Shkojmë për rezultat pozitiv. Çfarë ka ndryshuar Mema te Tirana? Ishte te ne pak kohë. Ai ka ndryshuar mentalitetin, pasi e njeh klubin dhe lojtarët. Ka bërë punë të mirë atje, por unë shpresoj që nesër rezultati të jetë pozitiv në favorin tonë”.
Te Flamurtari problemet financiare kanë qenë prezente këtë sezon, por Pollozhani mendon vetëm për atë që ekipi duhet të bëjë në fushën e blertë. “Grupi është i konsoliduar dhe do të japë maksimumin. Çfarë flitet e çfarë bëhet nuk i intereson shumë grupit. Do shohim kush do jetë gati, pasi ka pasur dëmtime apo lojtarë me probleme të lehta shëndetësore. Do mundohemi të bëjmë më të mirën nesër”.
I pyetur nëse kanë marrë ndonjë garanci nga drejtuesit, Pollozhani tha: “Nuk mund të marrim asnjë lloj garancie, jemi këtu për të folur për ndeshjen e nesërme. Çfarë garancie jepet ka njerëz të tjerë që mund të flasin. Pika jonë më e fortë është grupi, kemi cilësi në sulm dhe shpresoj që ato cilësi t’i vëmë në punë dhe të kapim objektivat”.
Në fundjavë Flamurtari ka një transfertë të vështirë me Teutën, ndërkohë që nesër ndeshjet me Tiranën. Durrsakët vetë ndeshjen me Lushnjën, një sfidë që nënkuptohet se do të jetë e lehtë për ta dhe nuk do të shpenzojnë energji njëlloj sa vlonjatët.
“Nuk e di si bëhet kalendari, por ne luajmë për Kupë ndeshje të vështirë. Kundërshtari ynë në kampionat nuk ka ndonjë sforco, edhe pse në çdo ndeshje duhet dhënë maksimumi. Ndeshja me Teutën duhet të ishte më e largët, pasi ne kemi ndeshje më të fortë. kemi kundërshtar më të fortë në letër, ndryshe nga Teuta”.