Trajneri i Totenhemit, Maurisio Poçetino, ka folur para ndeshjes gjysmëfinale kundër Ajaksit, ku djemtë e tij duhet të përmbysin humbjen 0-1 që pësuan në Londër. Në Holandë, i pret një ndeshje e vështirë, por tekniku argjentinas ka gjetur një mënyrë tepër origjinale për të motivuar të tijtë, duke thënë se nëse e fitojnë Champions-in, do të ishte një mrekulli që vështirë do të përsëritej, si dhe do të tërhiqej nga futbolli:
“Të fitosh Champions League me Totenhemin, duke marrë parasysh dhe situatën ku ndodhet klubi me stadiumin e ri dhe me financat e munguara, besoj se do të ishte një arritje e jashtëzakonshme dhe në rast se ia dalim, atëherë mund të tërhiqem nga futbolli.
Do të ishte një mrekulli, një mrekulli që vështirë se mund të përsëritet nga dikush tjetër, prandaj do të shkoja në shtëpi i lumtur.
Dëmtimi i Vertongen? Vuajti, por si përfundim ia hodhi paq, me vetëm një çarje në hundë. Nuk ishte ndonjë problem i madh. Kemi një ndeshje emocionuese përpara dhe të gjithë lojtarët duan të jenë në fushë”, u shpreh strategu argjentinas.