Me siguri të gjithë e kanë marrë vesh atë që ndodhi këtë të martë, kur kryeministri i Shqipërisë, një ndër të shumtët politikanë (është profesion serioz ky, jo shaka!) që na thotë se jemi si Europa dhe meritojmë të jemi në Europë, tha se Shqipëria ka një hall të madh, që lidhet me bastet, kazinotë e gjithçka tjetër që lidhet me lojërat e fatit. Sipas kryeministrit, i cili nga sporti merr vesh shumë dhe është tifoz i thekur, të parashikuarit si del për shembull një ndeshje Juventus-Barcelona qenka krim, qenka e keqja e Shqipërisë dhe duhet ulur qepeni i kompanive të basteve. Po ashtu, dhe këtu e kemi hallin në mediat sportive, ndalohen reklamat e kompanive të basteve!
Me pak fjalë, kryeministri kërkon të mbyllë totalisht edhe bastet sportive, sepse qenkan njësoj si “e kuqe, e zezë”, si pokeri, ruleta e ç’të doni. Aftësia për të parashikuar Kupën e Botës qenka një krim i madh, sepse ne shqiptaret po humbasim paratë dhe qeveria kujdeset për paratë tona.
Tani, pa u futur te politika, pa u futur as te diskutimi se ku qëndron krimi nëse paratë e tua i bën rrush e kumbulla, kryeministri do bënte mirë që ndonjë shpjegim të na e jepte, sepse jemi bagëti, dhe bariu ynë duhet të na tregojë rrugën, për të mos shkuar në humnerë.
Kryeministri duhet të na shpjegojë: kompanitë e basteve janë biznes i ligjshëm apo jo? Duke qenë se paguajnë taksa, blejnë licenca për dyqane dhe për llogari online, punësojnë njerëz dhe paguajnë sigurime, logjika të thotë që janë të ligjshëm. Të huajt, ata me pak më shumë tru se ne, thonë “reklama është shpirti i biznesit”. Si do zhvillohet një biznes, kur kryeministri i thotë që reklama është krim? Pse kryeministrat dhe kryebashkiakët tanë kujdesen aq shumë që të kenë një karro me televizione e kamera nga pas, për të dalë sa më bukur edhe kur zbresin nga makinat e tyre varfanjake, apo nuk është reklamë kjo?
Ndoshta kryeministri, që është tifoz, duhet të shpjegojë pse Betclick apo Bwin sponsorizojnë Juventusin, Realin dhe Milanin, Sbobet sponsorizon në Angli e Spanjë, Bet365 sponsorizon Stoke City e kështu me radhë. Pse Championship në Angli quhet Sky Bet Championship? Kaq pak e duan veten të huajt, që i ligjërojnë dhe pranojnë bastet sportive, ashtu si reklamat e tyre? Mos ndoshta është një biznes si gjithë të tjerët, ashtu si kafenetë ku shqiptarët lënë paratë çdo ditë? Mos ndoshta nesër kryeministri do dalë dhe do urdhërojë: Të mbyllen edhe kafenetë, sepse po i lini paratë aty?
Po shteti ynë, nuk përfiton fare nga tregu i basteve? Mos ndoshta kanë të drejtë disa dashakeqas, kur thonë se lufta po bëhet që një kompani të kapë tregun dhe të mbyten të tjerat?
Meqë kryeministri i konsideron bastet plagën me të madhe për shqiptarët, pse nuk na jep një koment edhe për kompanitë celulare, që po tallen çdo muaj, duke ulur muajin në 28 ditë, apo duke rritur çmimin 20% brenda nate të gjithë njëkohësisht?
Po për karburantin më të fëlliqur në Europë, që na e shesin si frëngu pulën dhe e rritin çmimin çdo natë, nuk mendon kryeministri se është plagë?
Po për ushqimet që hamë, miellin që bëhet buka, ujin e ndotur që nuk e pijmë dot dhe blejmë shishe me ujë çdo ditë, mishin që vjen nga ana tjetër e planetit, nuk do kemi ndonjë koment në Twitter nga kryeministri?
Po për faktin që Tirana ka vetëm një spital shtetëror ku vdesin njerëzit në korridor, ndërsa disa fatlumë shkojnë te spitalet private me emra amerikanë e me staf shqiptar, nuk do kemi ndonjë batutë nga i pari i këtij vendi të kalbur?
Mos ndoshta do duhet që kryeministri që na do kaq shumë të bllokojë edhe telenovelat turke që po ndotin ekranet, apo muzikën tallava që po përdhunon veshët tona prej dekadash?
Zoti kryeministër, kujdesu më shumë për disa nga këto gjërat më sipër, si dhe na ruaj nga duelet e sherifave nëpër rrugë, se për lekët që lënë njerëzit në lloto nuk gjen dot zgjidhje, e shumta do lulëzojnë bastet ilegale, përveçse do ikin paratë nga Shqipëria.
Nëse kjo është demokracia, kthehu o Enver Hoxha, të na kujtosh pak si është diktatura!
sipash jush na qeka me mire te mos mbyllen e?! Hajde hajde. Turp te te vije per artikullin. pse permend keto kampionatet ti dhe nuk permend kampionatin francez? shikoje njehere i publikojne kompanite e basteve andej?
Betclic është kompani bastesh franceze, reklamon në faqe interneti pa fund në Francë. Askush nuk e mbyll L’Equipe se reklamon kompani bastesh. Informohu, pastaj gjyko.