Marko Jovanoviç nuk ka duruar. Partizani zyrtarizoi kohë më parë largimin me konsensus të serbit, i cili së fundmi ka folur gjerë e gjatë, madje duke lëshuar akuza të forta për trajnerin Skënder Gega. E ka drejtpërdrejt me të, teksa thekson se ishte pikërisht ai që e largoi.
“Nuk kam dashur kurrë që të flas keq për një person në publik, por do të flas për klubin që dua, i cili nuk është në drejtimin e duhur. Duhet kohë për të rikthyer titullin e munguar dhe shumë punë dhe njohuri. Tani, klubi nuk është në drejtimin e duhur me këtë trajner. Ai ishte arsyeja e largimit tim dhe e gjitha kjo për shkak të nacionalitetit tim dhe urrejtjes që kishte ndaj meje”, ka thënë fillimisht Jovanoviç në “Telesport”.
AKUZA – Serbi tregon se lojtarët e afruar nuk kanë cilësi për të ndihmuar Partizanin. “Do më duhet të zhgënjej fansat, por më duhet të them se klubi është shumë larg titullit. Atje ka lojtarë me kualitet dhe mund të besohet te këta lojtarë, por është e pamundur që një grup i vogël të përballojë të gjitha ndeshjet. Gjatë sezonit do të përballesh me dëmtime dhe kartonë, prandaj të duhet një stol i fortë. Lojtarët që ka afruar Gega nuk kanë kualitet për Partizanin, por janë marrë për të tjera arsye. Prindërit e futbollistëve vinin në hotel dhe ne të gjithë e dimë se çfarë lojtarësh ka marrë, pse dhe në ç’bazë kriteresh ai i ka marrë”, shtoi serbi.
RAPORTI ME GEGËN DHE PRAPASKENAT – “Në takimin e parë, ai më tha se nuk ishte nacionalist, por solli asistentin e tij dhe nuk pa aspak cilësinë time. Ai nuk foli me mua, por më tha se nuk kam eksperiencë edhe pse unë kam shumë eksperiencë. E respektoj shumë karrierën e tij si lojtar, por si trajner është diçka tjetër. Në momentin që ai erdhi, nuk pyeti për opinionin që kisha për skuadrën, nuk ishte i interesuar.
Ai më ndaloi që të shkoja te zyra e presidentit që të kuptoja se çfarë po ndodhte dhe çfarë po bënte ai (Gega). Ai më ndaloi që të miqësohesha me futbollistët. Kisha një situatë në fazën përgatitore që të ulesha në një tryezë me 10 lojtarë përballë meje, të flisja dhe të miqësoheshim dhe ai më tha që duhet të largohesha dhe të lija vetëm lojtarët. Gega ndaloi Asanin, Sulejmanin, Ramadanin dhe ndonjë tjetër që të flisnin me mua në gjuhën sllave, si të komunikoja unë me to, kur ata nuk flasin anglisht dhe shqipja ime është e dobët?
Lojtarët më kanë thënë se ai po priste gabimin tim që të më largonte. Nuk e prisja, pasi sjellja ime ka qenë profesionale nga dita e parë e deri te dita e fundit. Ai tallej me mua sa herë i jepej rasti dhe nuk më respektonte. Kam përjetuar situata të çuditshme, për shembull, unë shkoja me Koradon (Sakonen, përgatitësi atletik) përpara stërvitjes që të organizoja fushën e stërvitjes dhe pas stërvitjes. Për mua kishte vendosur që të kthehesha në autobus me lojtarët, ndërsa për anëtarët e tjerë të stafit teknik nuk ishte ky rregull”.
“Ai është një psikolog, mësues dhe njeri i keq. Ai do të hedh poshtë talentin e Bardhit, Asanit së bashku me Malën dhe Hebajn që janë lojtarët më premtues të Shqipërisë. Ai humbi ritmin e ndeshjes, përgatitjet para takimit dhe zëvendësimet sollën eliminimin nga Maribori, ne mund të bënim më shumë kundër Mariborit. Mbylli lojtarët për 6 ditë në hotel dhe ata nuk mund të dilnin nga “qelia”, kjo ishte më e rëndësishme për të se sa stërvitja. Ai nuk ka bërë asnjë taktikë, kur nuk ka aksione si mund të fitosh titullin?”.
“Në mbrëmje, dëgjonim më shumë mundësinë e një biznesi Amerikë-Shqipëri, në vend që të përqendrohej te skuadra. Çdo drekë apo darkë ishte gjysmë ore me vonesë, ndonjëherë nuk vinte fare në stërvitje. Bënte gjëra amatore, vinte me telefon në stërvitje dhe shihte postimet në rrjetet sociale, kur mund të stimulonte dhe të takonte lojtarët. Nuk besoj se ka më shumë t’u thënë, por besoj se kaq është e mjaftueshme për të mos besuar më te ai. Së shpejti do ta shohim dhe punën e tij. Doja thjesht të tregohesha i drejtë me presidentin dhe tifozët, për të cilët kam shumë respekt dhe meritojnë fitimin e titullit. Përjetë me ty Partizon!”.
ÇANI – “Me Çanin u dërgova për të punuar në 11:00, në temperaturat më të larta dhe më pas duhet të isha në Pezë me ekipin e parë. Pse kjo stërvitje nuk u vendos para ose pas stërvitjes së ekipit të parë dhe nuk do të humbja gjysmën e ditës duke udhëtuar në Pezë”.