Plas në Shkodër, presionet anulojnë stërvitjen e Vllaznisë

Vllaznia duket në rrugë të mbarë, por sërish ka hije presioni. Së fundmi, sikurse raportohet nga një faqe tifozësh në “Facebook”, është anuluar stërvitja që ishte parashikuar të zhvillohej sot në orën 11:30. Thuhet se ka pasur presione ndaj trajnerit Agim Canaj një ditë më parë, por duhet pritur të mësohet diçka më tepër nga vetë protagonistët.

Gjithsesi, burimet të SportEkspres.com pranë klubit të Vllaznisë konfirmojnë problematikat e mësipërme në Shkodër. Mësohet se trajneri Canaj ka pasur një debat, ndërkohë që thuhet se ka pasur presione edhe ndaj administratorit Suad Lici. Nisur nga situata e krijuar, kryebashkiakja Voltana Ademi ka urdhëruar që sot të mos ketë stërvitje.

Nuk është hera e parë që përflitet për presione e ndërhyrje te Vllaznia. Kanë qenë edhe trajnerë të tjerë që janë ankuar më parë, ndërsa kulmi vjet ishte goditja e ish-trajnerit Ernest Gjoka. U arrit deri në një pikë sa edhe seancat stërvitore zhvilloheshin me polici. Një situatë e paprecedentë, në një klub me histori të madhe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *