Interi dhe Milani janë pranë rënies dakort për ndërtimin e stadiumit të ri. “San Siro” mund të quhet i vjetër tashmë dhe nevoja për të rigritur një arenë me kushte maksimale është e madhe. Këtë e ka pohuar edhe kryetari i bashkisë së qytetit, i cili është gati t’u japë leje për të ndërtuar impiantin e ri.
Ai do të ndërtohet pranë stadiumit aktual, në pjesën e parkingut. E gjithë kjo do të pasohet nga fundi i dhimbshëm i “San Siros”, që tashmë është një nga tempujt e futbollit botëror. Sipas medieve evropiane, vlera e arenës së re do të jetë 700 milionë euro.
Kapaciteti i saj nuk është bërë i qartë, por pritet të mos ketë shumë ndryshim me stadiumin aktual, që përmban rreth 85 mijë ulëse. Mrrëveshja mes palëve është në detajet e fundit dhe brenda kësaj vere do të mbyllet. Stadiumi i ri mendohet të jetë gati për sezonin 2022-2023. Gjatë kësaj kohe Interi dhe Milani do të vazhdojnë të luajnë në “San Siro”.