Sebino Plaku rikthehet në Korçë, por si kundërshtar. Sulmuesi, i cili mban shiritin e kapitenit te Kamza, ka folur para ndeshjes me Skënderbeun. Fillimisht ai ka analizuar gjendjen e skuadrës së tij, ndërkohë që hapur thekson se shkojnë në juglindje për të marrë pikë.
“Nuk vijmë nga një situatë e mirë, por kjo na bën që të kemi akoma më tepër dëshirë për të marrë pikë, ose për të arritur ndonjë fitore, qoftë ajo edhe në Korçë apo kudo që të luajmë. Do mundohemi që të bëjmë më mirën, sepse është situata e tillë që na bën të kërkojmë maksimumin”, është shprehur Plaku fillimisht në “RTSH Sport”.
PUSHIMI I KAMPIONATIT – Superiorja ndali për shkak të ndeshjeve të kombëtares dhe për Plakun kjo periudhë u ka shërbyer kamzalinjve: “Kjo periudhë pushimi na bën që të stërvitemi akoma më tepër. Normalisht është periudhë më e ngarkuar. Kjo mendoj se i ka dhënë edhe pak frymëmarrje trajnerit që të shohë skuadrën, të jetë më i qetë për gjërat që do ai, të ndërtojë një ekip me idetë e veta. Pushimi çdokujt i bën mirë, pasi edhe akumulon nga ai intensiteti i lartë, po bënim nga dy ndeshje në javë dhe çdo ekip nuk e ka organikën e tillë që të ketë dy formacione. Mendoj se na ka shërbyer, tani të shohim vazhdimin”.
SKËNDERBEU – Fjalë të mira nga Plaku për ambientin që krijohet në Korçë kur luhet një ndeshje futbolli. Por kur pyetet për dobësitë e Skënderbeut, mundohet të tregohet diplomat. “Si ‘ish’ mund të them se në Korçë është një ambient shumë i mirë dhe çdo ekip që shkon atje e ka mundësinë që të marrë më të mirën e vet. Është një fushë ku të lejohet të luash futboll të pastër dhe të marrësh atë që meriton”.
“Pikat e dobëta? Nuk më takon mua të flas për dobësitë e tyre. Mendoj se është ekip i plotë, ka bërë shumë mirë trajneri i ri. Po ashtu ka ruajtur edhe entuziazmin, sepse Shehi është edhe pjesë e asaj familje. Kështu që mendoj se Skënderbeu është në rrugën e vet”, përfundon Plaku.