Barcelona shkatërroi Realin e Madridit me rezultatin 5-1, duke konfirmuar formën fantastike të ekipit dhe krizën e kundërshtarit. Leo Mesi nuk luajti në klasiken e futbollit spanjoll, por djemtë e Valverdes shkëlqyen, Suarez u tregua një “përbindësh” me tripletën e tij, madje pati momente lumturie dhe për Arturo Vidal.
Zherad Pike ka folur pas fitores së thellë për “Marca”, ku tregon se “manita” kundër Realit është kthyer në traditë. Mbrojtësi është në qiellin e shtatë, por kërkon të mbajë ekipin më këmbë në tokë, sepse përpara ka sfida të tjera dhe është akoma fillimi i sezonit.
“Kjo javë shkoi shumë mirë. E dimë që kampionati është akoma shumë i gjatë, mund të ndodhë gjithçka, dhe e dimë se “El Clasico” është vetëm një moment. Është e pamundur të kontrollosh ndeshjen për 90 minuta, sepse dhe ata kanë cilësi për të krijuar raste. Ditëm të vuanim dhe të fitojmë bindshëm. Kjo fitore na bën shumë të lumtur, sepse Reali është një kundërshtar shumë i vështirë. Historikisht është rivali ynë i përjetshëm. Bëhet fjalë për më shumë se tre pikë, është një gëzim i papërshkrueshëm, një kënaqësi e madhe, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, duke shfrytëzuar këtë karikim për sfidat e radhës.”
Mbrojtësi i Barcelonës ndalet dhe te renditja e kampionatit. Katalanasit ndodhen në vendin e parë, një pikë sipër Alaveshit, dy sipër Seviljes dhe shtatë mbi Realin. “Shtatë pikë janë të mjaftueshme, por jemi në tetor dhe Reali i Madridit është një klub i madh. Një seri rezultatesh negative mund të na ndodhë dhe neve. Mungesa e Mesit? Treguam që Leo mund të pushojë dhe pak dhe të rikuperohet qetësisht”, përfundon Zherard Pike.