Milani po noton në ujëra të mira prej kohësh dhe ndoshta një faktor i këtij ndryshimi është dhe ardhja e presidencës së re. Pas largimit të kinezëve, drejtimin e kuqezinjve e ka marrë Paolo Skaroni. Ky i fundit ka folur për mediat italiane, teksa është rrëfyer mbi merkaton e janarit, ikjen e Higuain, gjendjen e ekipit si dhe për një shitje të mundshme për Xhixhio Donarumës.
BLERJET E JANARIT – “Piatek ka shënuar shumë gola me Xhenoan, Krakovian dhe këtë gjë po bën dhe me Milanin. Jam i lumtur me atmosferën që është krijuar, si për Piatek, po ashtu dhe për Paketën, por dhe për të gjithë.”
EKIPI – “Jemi bërë një ekip dhe kjo falë Gatuzos mbi të gjitha. Ekipi ka nisur të bëjë gjithçka në unison. Gatuzo është Gatuzo. Karakteri që ka pasur si lojtar, e ka dhe si trajner. I ka lojtarët në krahun e tij dhe ata e vlerësojnë shumë. Sezoni ka shumë pengesa do t’i quaja, mjafton të mendojmë për dëmtimet. Gjithsesi, po lëvizim në drejtimin e duhur.”
HIGUAIN – “Është turp që eksperienca e tij nuk ishte pozitive, ashtu si për ne. Këto marrëveshje ndonjëherë shkojnë mirë, ndonjëherë keq.”
SHITJA E DONARUMËS- “Nuk mendoj për paratë. Nuk e kemi në plan që ta shesim Donarumën. Nuk e dija që Berluskoni i ka vënë një çmim prej 80 milionë eurosh. Në ndeshjet e fundit ka bërë pritje të rëndësishme, ashtu siç bëri në ndeshjen e fundit ndaj Romës.”