Nuk është një situatë e krahasueshme me atë të Flamurtarit, për shumë arsye, por gjithsesi edhe Tirana ka hallet e saj dhe herët a vonë edhe aty situata do të bëhet shumë e rëndë, nëse vijohet kështu. Klubi bardheblu nuk është “as mish, as peshk”, si Flamurtari, por e ka një pronar maxhorance, Refik Halilin, si dhe pronare të pakicës së aksioneve, bashkinë Tiranë (66%-34%).
Në teori gjithçka e qartë, ashtu si marrëveshja që u bë në dhjetor 2014, kur Refik Halili mori shumicën e aksioneve dhe u ra dakord që të ndante me bashkinë borxhin kolosal prej 2.6 miliardë lekësh (të vjetra). Sipas marrëveshjes, bashkia Tiranë duhej të shlyente 840 milionë lekë, nga të cilat ka shlyer vetëm 400 milionë.
Refik Halili, i vendosur nën presionin e gjyqeve në FIFA, apo gjyqeve në Shqipëri, ka shlyer sa ka mundur, por jo vetëm që pret nga bashkia shlyerjen e borxhit 440 milionë lekë, por nuk ka marrë asnjë lek në 4 vitet e fundit për menaxhimin e klubit, edhe pse bashkisë i takon të kontribuojë në bazë të 34% të aksioneve që zotëron.
Prej 3 vitesh kryebashkiaku Erjon Veliaj jep vetëm premtime, herë publike e herë në mënyrë private, por deri tani 0 lek për klubin që e ka në pronësi. Bashkia Tiranë ndoshta mjaftohet me faktin se në dobi të klubit u vunë në përdorim asetet, nga stadiumi deri tek ambientet stërvitore, por marrëveshja nuk ka qenë e tillë dhe është e qartë që ekziston një ngërç i madh, që është shmangur vetëm nga butësia dhe durimi i Halilit, i cili kohët e fundit jo rastësisht i ka bërë thirrje bashkisë të shesë aksionet e saj, sepse dy pronarë realë, apo më shumë të tillë, janë më mirë se Halili dhe një bashki inekzistente.