Tirana po përgatitet për ndeshjen e radhës në transfertë. Luhet kundër Teutës dhe ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut. Ardian Mema ka folur në konferencën për shtyp, duke u ndalur te situata me ish-trajnerin e bardhebluve, Ze Maria. Braziliani reagoi kundër deklaratave të Memës, pasi ky i fundit kishte shprehur pakënaqësitë e tij për gjendjen fizike të ekipit.
“Njerëzit kur nuk dinë ç’të thonë, flasin broçkulla. Mema? Nuk e di fare kush është ky. Nuk e kam dëgjuar asnjëherë të përmendet në botën e futbollit. Ai duhet të mendojë të bëjë punën e tij. Nëse di vërtetë ta bëjë punën…”, reagoi braziliani për “Panorama Sport”, ndërkohë që Mema ka mohuar të ketë thënë një gjë të tillë. Megjithatë, ai i kërkon ndjesë Ze Marias dhe insiston që ai ka folur vetëm për probleme psikologjike të Tiranës dhe jo fizike.
Maria i është përgjigjur fjalisë tuaj se skuadra ka probleme fizike. A keni ndonjë koment për këtë?
– E para, ku e kam thënë? (gazetari: – E keni thënë konferencën e kaluar.) Atëherë nëse e kam thënë diçka të tillë, që nuk besoj ta kem thënë, sepse i mbaj mend shumë mirë gjërat që them, do t’i kërkoj ndjesë publike Ze Marias. Nëse, gjithmonë. Unë e para nuk kam sfidë me atë, apo me dikë tjetër. Ze Marian dhe gjithë ish-trajnerët e Tiranës i respektoj sepse kanë punuar për këtë klub. Jam pjesë e Tiranës që fëmijë dhe parimi im është që të respektoj gjithë trajnerët që kanë punuar. Pjesa tjetër më duket e tepërt të flas. M’u duk një lajm artificial. Çdo njeri do të bëjë punën sa më mirë, si Ze Maria, si Ard Mema, si dikush tjetër që ka qenë më parë këtu. Kjo është çështje e mbyllur, nuk më intereson kjo pjesë. Nëse merrem është gabim i imi dhe nuk do e bëj kurrë.
Përgatitja fizike si ishte, që të qartësohen gjërat?
-Kam folur që në fillim për aspektin psikologjik. Në pozicionin që ishte Tirana, normalisht që do ketë probleme psikologjike. në këtë aspekt kam dashur të punoj. Sa i takon anës fizike, në futboll nëse nuk punon paketa elektronike, futbollisti do të ketë probleme sa do i fizikshëm të jetë. Fillimisht duhet të stërvitim mendjen, pastaj trupin. Nuk mendoj se ekipi ka qenë keq fizikisht, pasi ekipi është shprehur në lojë. Pati një rënie të lehtë në pjesën e dytë me Flamurtarin, kurse me Kamzën pati ngritje. Nuk ka pasur probleme fizike te lojtarët. Dua të shoh para, jo prapa. Më erdhi keq, mendoj se ka rënë në një grackë Ze Maria. Do i kërkoj ndjesë publike nëse dikush më tregon se unë kam folur për anën fizike publikisht. Në këto kushte të kem përmendur edhe Ze Marian. Problemet në një ekip janë të gjithanshme, jo vetëm fizike. Nuk mbrohem. E thashë, nëse truri është i ngarkuar, ka edhe probleme fizike. Nuk kam për qëllim të prek ish-trajnerin. Ai ka thënë ato fjalë që ka thënë dhe nuk ia marr fare në konsideratë sepse unë kam sfidën me veten time. Nuk kam sfidë me Ze Marian. Është çështje e mbyllur.