Tifozët, dëmtimet, fati, Çyrbja dhe Flamurtari: Cungu i thotë të gjitha

Kukësi po përgatitet për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Flamurtarit. Klubi verilindor ka vendosur ta zhvillojë këtë ndeshje në stadiumin e Kamzës, aty ku ka shumë kuksianë, të cilët do të mbështesin djemtë e Cungut. Distanca me kreun ka shkuar në katër pikë, pas fitores së Skënderbeut në kryeqytet përballë Partizanit.

Armando Cungu ka folur në konferencën për shtyp para sfidës të së premtes. Trajneri i Kukësit kërkon fitoren, ndërkohë që shpreson që stadiumi të mbushet dhe ekipi të shijojë mbështetjen e munguar të tifozërisë.

Cungu ndalet te dëmtimet e shumta dhe dënimi i Arbër Çyrbjes. Ai dhe klubi presin shumë nga durrsaku dhe besojnë që lojtari do të rikthehet në formën e mirë që kishte te Teuta. Vlerësim për Ilir Dajën dhe Flamurtarin, ndërkohë që trajneri i Kukësit shpreson që të vijnë golat, jo vetëm nga Rexhinaldo dhe mbrojtësit, por dhe mesfushorët e ekipit.

Çfarë prisni nga kjo ndeshje dhe a do i korrigjoni ato gabime që bëtë ndeshjen e parë?
-Ndeshjen e parë, edhe pse dominuam me lojë dhe me raste, një pakujdesi në një goditje standarde na kushtoi humbjen. Gjithsesi jemi në një situatë tjetër, në një ritëm tjetër. Kam bindjen për t’u futur në fushë për të fituar si gjithmonë, por edhe fati të na buzëqeshë pak edhe neve. Futbolli dihet që ka nevojë edhe për pak fat. Uroj të jetë në krahun tonë këtë herë.

Mendoni se ju favorizon fakti që luani në Kamzë, ku do të keni mbështetjen e tifozëve?
-Shpresoj të kemi përkrahje këtë ndeshje, nuk kemi pasur deri tani. Ekipi ka nevojë, shpresoj të jenë sa më të shumtë dhe të përkrahin ekipin. Gjithashtu të jetë një impuls edhe për ekipin që të bëjë diçka më tepër në aspektin e ritmit të lojës.

Çfarë po ndodh me Arbër Çyrbjen?
-Nuk ka asgjë serioze për t’u shqetësuar. Thjesht një dënim i vogël, si rezultat i kësaj klubi ka vendosur ta kalojë për një periudhë tek ekipi B. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar as për ta diskutuar më tepër këtë problem.

A prisni më shumë nga Çyrbja?
-Pres të them të drejtën. Pres kontribut të tij, natyrshëm. Të paktën të japë atë që ka dhënë te Teuta. Edhe vetë lojtari nuk është i kënaqur me rendimentin e tij. Si klub kemi bindjen e plotë se mund të jetë një ngërç momental i Çyrbjes, por i ka të gjitha mundësitë për t’u rikthyer ai që njohim të gjithë.

Si është situata me dëmtimet para ndeshjes me Flamurtarin?
-Kjo javë ka qenë e trazuar, kemi pasur probleme jo pak. Kemi pasur probleme serioze me disa lojtarë, plot pesë lojtarë kanë pasur dëmtime. Kemi pasur pak ditë në dispozicion që lojtarët të rikuperohen. Do presim deri nesër për të parë se sa do të jenë të gatshëm.

Shumë dëmtime, por pak kartonë të verdhë për Laçin?
-Kjo është një pyetje që duhet t’ia bëni arbitrave të ndeshjes. Loja në momente të caktuara ishte e ashpër dhe si rezultat i kësaj është kjo problematikë e kësaj jave sa i takon dëmtimeve.

Ju dëmtojnë dëmtimet?
-Normal që na dëmton, pasi janë lojtarë të rëndësishëm. Na mungojnë edhe Musolli e Rrumbullaku, gati një ekip me dëmtime. Gjithsesi stërvitet një ekip me 25 lojtarë dhe e kam theksuar edhe herë tjetër që mundësia po u jepet të gjithë lojtarëve.

Është koha për revansh ndaj Flamurtarit, apo do ju kënaqte edhe një barazim?
-E kam theksuar se nuk futem në asnjë ndeshje për barazim. Këtë gjë jam munduar t’ia injektoj edhe futbollistëve. Fusha mund të prodhojë rezultate të ndryshme, por primare është të synohet fitorja.

Sa e ka hapur fitorja e Skënderbeut me Partizanin kampionatin?
-Normal një kampionat ka problematikat e veta, edhe pse një ekip mund të ketë një ritëm të mirë. Na ndodhi edhe ne, morëm katër fitore dhe dolëm në krye. Dy rezultate jo pozitive me rivalët, bënë që të humbnim terren. Gabuan edhe kundërshtarët dhe është herë për të folur nëse është i hapur apo i mbyllur kampionati. Jam i mendimit se do të jetë i hapur deri në fund.

Dy humbje me rivalët, por rikuperuat. Çfarë pret më shumë nga ky Kukës?
-Presim përmirësim. Jemi përmirësuar dukshëm nga momenti që kam ardhur. Kemi pasur problematika jo të vogla. Shohim një Kukës që luan futboll, që di të marrë rezultate. Nuk kam parë një ekip që me futboll ta mundë Kukësin dhe kjo është një anë pozitive. Natyrshëm ka vend për përmirësim. Kemi lënë për të dëshiruar në finalizim. Dëmtimet penalizojnë ekipin dhe krijojnë jo stabilitetin e duhur. Gjithsesi do vazhdojmë përpara.

Shënon Rexhinaldo dhe mbrojtja. Kur do realizojë pjesa tjetër e skuadrës?
-E drejtë, është një pyetje që më bëhet çdo javë. Me dëshirën e mirë që të thyhet akulli, shpresoj të futen në lojë edhe të tjerët. Shpresoj që edhe mesfushorët të shënojnë.

Përballë keni Dajën, me cilin jeni mik. I druheni ndonjë strategjie?
-Unë kam mik çdo trajner dhe kam raporte të mira. Është trajner që ka eksperiencë dhe duhet respektuar, sikurse edhe Flamurtari. Prej vitesh investon shumë, por nuk i kthehet mbrapsht investimi. Kam frikë se edhe ky vit do të jetë i njëjtë për ta. Gjithsesi nuk i druhem as unë, as ekipi, asnjë strategjie të kundërshtarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online