Maurisio Poçetino fitoi shumë pikë të vyera në reputacionin e tij si një nga trajnerët më të mirë në botë, pas kualifikimit të Totenhemit të tij në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve. Trajneri argjentinas e ka nisur nga hiçi, duke bërë emër vetëm te skuadra e Sauthempton. Më pas, Totenhemi i besoi dhe pa shpenzuar thuajse asnjë qindarkë, ndërtoi një nga stadiumet më të mëdha në botë dhe çoi Totenhemin në finalen e Champions League.
Por Poçetino zbuloi se kjo arritje nuk ishte vetëm për meritë të tij, por dhe të kapitenit Hugo Loris. Trajneri i “Gjelave” zbuloi për mediat britanike disa nga fjalët që u thanë në dhomat e zhveshjes në pushimin mes pjesëve:
“Nuk ishte një moment që kishte shumë nevojë për fjalë. Në fund të fundit, ne u munduam të motivonim sa më shumë lojtarët, por ai që ndikoi më shumë, ishte Hugo Loris. I mbaj mend fjalët e tij kur unë vetë po dilja nga dhoma. Ai po bërtiste: ‘Jemi shumë afër, një gol na duhet, vetëm një gol. Është ndeshja jonë, të dalim atje dhe ta fitojmë!’ Ai është një kapiten i vërtetë dhe për ne trajnerët, të kemi një lojtar të tillë është një fat i madh”, përfundoi Poçetino.