Mats Humels ishte një ndër tre lojtarët që u përjashtuan bujshëm nga kombëtarja pak javë më parë, me trajnerin Joakim Lëv që njoftoi se Humels, Boateng dhe Muller nuk ishin më në planet e Gjermanisë.
Megjithatë, Humels në një intervistë për Sport Bild rrëfen se nuk i mban mëri trajnerit, edhe pse do donte që historia të shkonte ndryshe.
“Edhe unë bëj gjëra që i mërzitin të tjerët, ndaj nuk i mbaj mëri trajnerit. Jam menduar gjatë dhe kam kuptuar diçka: Ndoshta trajneri e kishte të vështirë të gjente rrugën e duhur për të na informuar për mbylljen e karrierës me kombëtaren, në një mënyrë që të gjithë të ishin të vetëdijshëm se gjithcka u bë si duhej“.
Natyrisht, Humels e pranon se vendimi i Lëvit ishte i vështirë për t’u pranuar: “U ndjeva i mospërfillur. Tomas, Zherom dhe unë e ndjenim se mund të tregohej pak më shumë vlerësim për ne. Megjithatë, 8 vitet e mia me Gjermaninë ishin fantastike“.
Fantastike, por jo deri në fund, sepse Humels e ka një peng të madh: “Humbja ndaj Koresë së Jugut ishte një poshtërim për ne dhe ishte edhe faji im. Humba një rast ideal me kokë, po të shënoja do ndryshonte gjithçka, jo vetëm në Botëror, por edhe tani nuk do ndodhnin këto gjëra“.
E ardhmja? “Nuk e mendoj më kombëtaren për momentin, nuk e di në të ardhmen“.