Pasi zbuloi përpara dy ditësh se ëndrra e tij është të luajë në Premier Ligë, Ivan Perishiç ka shkuar dhe më tej. Ai ishte një objektiv i Mançester Junajtid gjatë merkatos së verës, por zikaltrit rezistuan dhe kroati vazhdoi karrierën në Milano.
29-vjeçari ka treguar për “Four Four Two” një detaj interesant sa i përket tratativave me ekipin e Murinjos. Ishte pothuajse me valixhe gati, por ndërhyrja dhe besimi i trajnerit i ndryshuan mendjen.
“Është e vërtetë, kisha një ofertë nga Junajtid dhe isha gati për ta lënë Interin. Në fund vendosa të qëndroja, siç e kam thënë, për shkak të këmbënguljes së Spaletit. Ai besonte se do të luaja një rol vendimtar për ekipin. Në futboll janë thelbësore këto detaje të vogla në situata të tilla. Gjithmonë e kam thënë që ëndrra ime është të luaj në Premier.”
“Gjithçka është e mundur në futboll, por të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Tani jam i përqendruar tek Interi. Shpresoj që tifozët interist ta kuptojnë pikëpamjen time”, përfundon nënkampioni i botës me Kroacinë.