Luka Modriç u kthye mollë sherri mes Real Madridit dhe Interit këtë verë, sepse kroati u josh nga një ofertë e shkëlqyer e klubit italian, që i garantonte miliona, disa vite në Serinë A dhe më pas pension i qetë në kampionatin kinez. Gjithsesi, kroati, i shpallur dje Lojtari i Vitit për sezonin e shkuar në Champions League, ka në kontratë një klauzolë prej 750 milionë eurosh për prishjen e saj dhe presidenti i Realit, Florentino Perez, refuzoi prerë largimin e tij.
Dje, pas shortit të fazës së grupeve në Champions League, Perez ishte në Montekarlo dhe deklaroi për një grup gazetarësh: “Ata u përpoqën të blinin numrin 10 tonë pa paguar asgjë për të. Është hera e parë që diçka e tillë më ndodh në jetën time”.
Zëvendëspresidenti i Interit Javier Zanetti foli për Sky Italia, i pyetur për këtë deklaratë nga Perez: “Nuk e di ç’ka thënë. Do ta shohim dhe më pas do të reagojmë si klub”.