Takimet që përmbyllin fazën e parë janë mjaft interesante, ndërkohë që janë përcaktuar edhe datat e oraret për to. Takimi i javës konsiderohet ai mes Flamurtarit dhe Tiranës, ndaj edhe do të përballen ditën e premte prej orës 18:00.
Bardheblutë po kalojnë një periudhë negative, pasi u mundën javën e fundit me Laçin dhe kanë mbyllur marrëveshjen me trajnerin Ze Maria. Drejtimin e ka marrë Ardian Mema, i cili ishte pjesë e vlonjateve dhe do të ketë një sfidë të veçantë me teknikun Daja. Nga ana tjetër edhe Flamurtari vjen pas një humbjeje dhe një barazimi. Të dyja ekipet i kënaqin vetëm tre pikët.
Laçi i pamposhtur ka gjetur shtëpi për ndeshjen me Teutën. Të shtunën kurbinasit i presin durrsakët në “Elbasan Arena”. Fusha ishte kthyer në një problem dhe drejtuesit kërkojnë ta kthejnë në gjendje optimale, ndaj edhe është hedhur helmi dhe më pas është mbjellë.
Durrsakët larg shtëpisë nuk dinë të fitojnë dhe tani do kërkojnë ta thyejnë këtë tabu. Takimi tjetër i javës së nëntë luhet në Fushë-Krujë. Kastrioti do mundohet të marrë pikë dhe duhet ta bëjë këtë kundër Kukësit. Verilindorët, pas dy humbjeve radhazi, kanë vetëm një rrugë këtë javë: të fitojnë. Ky takim luhet gjithashtu të shtunën.
Partizani kërkon të ruajë kreun dhe luan këtë herë në shtëpi kundër Luftëtarit ditën e diel. Gjirokastritët do tentojnë të marrin pikë, pasi për ta janë jetike. Deri më tani jashtë fushë e kanë pasur rendimentin zero.
Skënderbeu është gati të shfrytëzojë ndonjë ndalesë të mundshme, por duhet të bëjë kujdes vetë. Kamza është nga ato ekipe që të hap probleme. Sigurisht korçarët janë favoritë, por zor se do të ndodhë lehtë diçka e tillë.
KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 9
E premte, më 19 tetor
Flamurtari-Tirana (Ora 18:00)
E shtunë, më 20 tetor
Kastrioti-Kukësi (Ora 14:00)
Laçi-Teuta (Ora 14:00)
E diel, më 21 tetor
Skënderbeu-Kamza (Ora 14:00)
Partizani-Luftëtari (Ora 17:00)